I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vlerësoi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një “arritje e madhe” dhe se ajo paraqet një “hap historik përpara” në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në një intervistë për agjencinë Mina, Escobar tha se “nuk sheh arsye” pse marrëveshja për çështjet e mbetura të mos mund të arrihet deri në fund të verës, transmeton Beta.

Siç tha ai, në Serbi ka disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, letërnjoftimeve dhe disa gjërave të tjera.

“Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më falni, kjo nuk është pritje. Është obligim”, tha Eskobar.