Edhe dy ditë kanë mbetur deri në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa të dy kandidatët bëjnë apel tek qytetarët për dalje më të madhe në votime të dielën.

Kandidati për president i mbështetur nga partitë në pushtet Stevo Pendarovski, dje në Makedonska Kamenicë dhe Koçan tha se rrumbullaksimi i numrit tre do të thotë perspektivë më e mirë për të gjithë, inkuadrim i sigurt në Evropë, vazhdim i reformave në rrugën e përbashkët drejtë progresit, zhvillimit dhe integrimit në NATO, por edhe dhënie fund të siç tha ai, “gruevizimit”.

Kandidatja presidenciale e mbështetur nga OBRM-PDUKM Gordana Siljanovska-Davokova nga Manastiri tha se shteti ynë duhet të reformohet në çdo pikëpamje, sepse për momentin nuk është vend i denjë për jetesë.

Sipas asaj, biseda për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE do të shtyhet.

Ndërsa nga ana tjetër kryeministri i vendit Zoran Zaev, në një emision debativ u shpreh i bindur se censusi do të arrihet.

Ndryshe, për të pasur zgjedhje të suksesshme për kryetar shteti, të dielën është e nevojshme që në votime të dalin të paktën 40 për qind e votuesve të regjistruar në Listën e vetme të votimit.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ishte 41.8 për qind.