Qëndrimi i BDI-së lidhur me zgjedhjet është se duhet të përmbushen dy kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Gjegjësisht zgjedhjet mund të mbahen në çdo kohë, nëse përmbushen dy kushte – njëri është Komisioni i Sëmundjeve Infektive të thotë se procesi i tillë nuk do ta rrezikojë shëndetin e qytetarëve dhe i dyti – OSBE/ODIHR të konstatojnë se mund t’i monitorojë zgjedhjet, deklaroi sot në konferencë për media zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani.

Shtoi se kushti i dytë është potencuar edhe pas komunikimit të djeshëm me trupat e BE-së, të cilët, siç tha Osmani, vlerësojnë se vendimi për zgjedhje është i yni, megjithatë është shumë me rëndësi të kemi mbikëqyrës nga OSBE/ODIHR në procesin zgjedhor.

“Kjo do të thotë që nëse këto dy kushte përmbushen, nëse Komisioni thotë se nuk ka rrezik për shëndetin e njerëzve që ata të votojnë, të organizohen, dhe vëzhguesit të konkludojnë se mund të vijnë dhe të monitorojnë zgjedhjet, ne jemi të mendimit se zgjedhjet mund të mbahen në çdo kohë”, tha Osmani.

Sipas tij, që të mbahen zgjedhjet, duhet të bëhet analizë në bazë të parametrave aktuale, në bazë të një trendi.

“Prandaj, për shembull, edhe masat e lehtësimit nuk i japim sot i planifikojmë për të premten, në mënyrë që të kemi trend një javë. Kur do të merret vendimi për zgjedhjet, Komisioni duhet të shohë profesionalisht trendin, sepse trendi tregon projeksionin për periudhën e ardhshme, si do të jenë dhjetë ose njëzet ditët e ardhshme”, vlerësoi zëvendëskryeministri Osmani.