Udhëheqësja e Sektorit për Mbikëqyrje Inspektuese Shkup Meri Prodanovska sonte në një konferencë të jashtëzakonshme për media deklaroi se ishin penguar që të bëjnë kontroll në një objekt hotelierik në “Boemska ulica”.
Sipas saj, derisa inspektorët kishin pritur që të hynë, nga objekti kishte dalë kryetari i një partie politike, por nuk precizoi se për kë bëhet fjalë.
“Sonte, Inspektorati Shtetëror i Tregut në mbikëqyrje të rregullta, gjegjësisht mbikëqyrje të jashtëzakonshme në territorin e Shkupit rreth orës 18:15 ishte penguar që të bëjë kontroll në një objekt hotelierik me arsyetimin se objekti hotelierik është i llojit të mbyllur dhe se nuk ka mysafir brenda. Kolegët vazhduan në objektet tjera hotelierike, por megjithatë u kthyen te objekti i njëjtë me edhe një lutje që t’iu hapet objekti që të bëjnë mbikëqyrje. Pas dy orë e gjysmë arritëm që të hymë në objekt, por para kësaj kishte edhe veprime të tjera, nga objekti dolën persona të cilët inspektorët nuk arritën t’i legjitimonin, por është njohur kryetari i një partie politike”, tha Prodanovska.
E pyetur se cili ishte lideri i partisë, që ishte në objekt, ajo tha se nuk mund të thotë, sepse nuk ka qenë aty.
Pronari i lokalit ishte thirrur, por kishte ardhur pas dy orë e gjysmë pritje para objektit.
Prodanovska informoi se operatori hotelierik do të marrë kallëzim penal sipas nenit 205 dhe 206 për mosrespektim të ndalesës për kryerje të veprimtarisë në objekt dhe për pengim të mbikëqyrjes inspektuese.
Comments are closed for this post.