Në zemër të Prishtinës pritet të shtohet një tunel dhe një shesh i ri. Komuna që drejtohet nga Shpend Ahmeti ka paraparë të ndërtojë këtë projekt në rrugën “Agim Ramadani”, ndërsa do të shtrihet nga Mensa e Studentëve deri te lagjja “Vellusha”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
2 milionë euro janë ndarë nga Komuna e Prishtinës për projektin më të ri infrastrukturor në qendër të Prishtinës. Në buxhetin e vitit 2020, i cili është miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, është paraparë ndërtimi i një tuneli 300 metra në rrugën “Agim Ramadani”.
Ky tunel pritet të ndërtohet nga Mensa e Studentëve deri tek objekti i Komunës së vjetër të Prishtinës e më pas te lagjja “Vellusha”. Sipas zyrtarëve komunalë, tuneli do të ndërtohet për ta lidhur sheshin “Ibrahim Rugova” me pjesën e vjetër të qytetit.
Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, ditë më parë ka deklaruar për medie se ideja për ndërtimin e këtij tuneli është hedhur qe një kohë të gjatë. Ai është shprehur optimist se ky projekt do të fillojë së zbatuari nga viti i ardhshëm.
“Ky investim që do të bëhet është në fazën e projektimit. Me këtë do të bëhet lidhshmëria e sheshit ‘Ibrahim Rugova’ me pjesën e vjetër të qytetit të Prishtinës. Që të lidhet më mirë kjo pjesë është paraparë të shtrohet në kalldrëm. Prej mbrapa ‘Vellushës’ parashihet tuneli deri lart. Janë rreth 300 metra. Që të bëhet pjesë vetëm për kalimin e këmbësorëve do të ndërtohet tuneli dhe lart tij do të jetë zonë vetëm për këmbësorë”, ka bërë të ditur Mehmeti.
Comments are closed for this post.