Sot pritet të hapet tender i ri për 2 kilometrat e parë të autostradës Shkup-Bllacë, njofton gazeta Koha. Ky është tenderi i dytë që hapet brenda dy-tre muajve, ndërsa në të parin ishte paraqitur vetëm një kompani, por që çmimin e kishte caktuar më shumë se sa ishte paraparë nga ndërmarrja publike “Rrugët Shtetërore”.

Ndërmarrja publike në shtator kishte sjellë vendim të vazhdojë afatin e ofertave për të tërhequr më shumë kompani ndërtimi që dëshirojnë të ndërtojnë fazën e parë dhe të paraqesin çmime më konkurruese, por përpjekja kishte dështuar.

Tenderi i dytë i shpallur dje, siç shpresojnë në “Rrugët Shtetërore”, duhet të sigurojë kompani për ndërtimin e autostradës nga vendkalimi kufitar Bllacë në fshatin Bllacë, ndërsa punimet të përfundojnë për 18 muaj. Në ndërkohë, dokumentacioni i projektit për fazën e dytë të autostradës prej 10.5 kilometra, sipas premtimeve, do të përgatitet në prill-qershor të vitit të ardhshëm, pas së cilës do të shpallet tenderi për ndërtimin e saj.

Ndërmarrja “Rrugët Shtetërore” shpreson që vitin e ardhshëm të sigurojnë vazhdimësi në ndërtimin e dy fazave të shtrirjes së autostradës Shkup-Bllacë. Sipas vlerësimeve të Qeverisë, projekti me vlerë rreth 110 milionë euro do të duhet të përfundojë nga fundi i vitit 2023.