“e.GO Mobile”, në pronësi të familjes së Lazim Destanit është kompani gjermane për prodhimin e automjeteve elektrike me seli në Gjermani. Kjo kompani këtë të shtunë, më 13 gusht, hedh gurthemelin e fabrikës që do të ndërtohet në Zonën e Lirë në Tetovë.

Pronar i “e.GO Mobile” është djali i Lazim Destanit, Nazif Destani, që është edhe themelues dhe pronar i Ecolog International.

Ndërtimi i fabrikës në Tetovë kap investim mbi 150 milion euro si dhe do të ketë mbi dy mijë të punësuar. Tashmë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut është miratuar dhe nënshkrimi i marrëveshjes mes “e.GO Mobile dhe Qeverisë, shkruan Telegrafi Maqedoni.

“e.GO” është prodhues i automjeteve elektrike inovative dhe zgjidhjeve të prodhimit. Filozofia e këtij prodhuesi është inovacioni me prakticitet dhe qëllim. “e.GO Mobile” zhvillon platformë unike të automjeteve elektrike me bateri (e.) si dhe sistem prodhimi revolucionar që paraqet risi në prodhimin e automjeteve elektrike. Fillon me zgjedhjen e materialit të qëndrueshëm dhe të ripërdorshëm në produktet e veta deri te energjia e optimizuar dhe gjurmët mjedisore. Duke përdorur teknologjinë e decentralizuar të prodhimit, mundëson krijimin e vlerës së shtuar ekonomike lokale duke angazhuar komunitetet, duke zhvilluar talent dhe duke siguruar burime në nivel lokal. Produktet unike dhe shërbimet e “e.GO Mobile” janë krijuar për të ndihmuar qytetet dhe banorët e tyre të ndryshojnë për të mirë mënyrën se si lëvizin.