Whatsapp ka njoftuar se ka shtyrë vendosjen e rregullave të reja të privatësisë deri ne maj të 2021-it, pasi do që përdoruesit e saj të kuptojnë se çfarë ndryshimesh po bën dhe të bien dakord me to. Kompania pranoi se rregullat e reja kanë shkaktuar shumë konfuzion mes njerëzive, ndërsa po qarkullojnë edhe shumë informacione të rreme në lidhje me to. Whatsapp premtoi se nuk do të heqë llogarinë e askujt në këtë platformë sociale në datën 8 shkurt, që ishte afati i fundit më parë për të pranuar kushtet e reja.

Kompania e zotëruar nga Facebook është duke I dhënë kështu përdoruesëve të paktën 3 muaj kohë për të rishikuar rregullat e reja të përditësuara dhe që të dinë se çfarë po pranojnë. Ato do të hynë në fuqi në 15 maj. Por si nisi e gjithë situata me këtë platformë dhe si është situata tani?

Whatsapp përditësoi rregullat e privatësisë së përdoruesëve në datën 4 janar, duke i dhënë kohë atyre që t’i pranojnë deri më 8 shkurt. Përditësimet përfshijnë më shumë informacione në lidhje me mënyrën si bizneset përdorin Facebook-un dhe serverat e tyre dhe si menaxhohen chat-et e Whatsapp. Po ashtu shpjegohet si partnerët e këtyre dy kompanive do të integrohen dhe do të bëhen pjesë e tyre dhe si do ndikojë kjo te përdoruesit. Platforma sociale po ashtu theksoi se rregullat e reja do të kenë impakt në mënyrën si përdoruesit ndërveprojnë me llogaritë e biznesit, shumë prej këtyre të fundit që i ofrojnë shërbimet edhe në Facebook. Po ashtu se kompania do të përdorë informacione nga chat-et e grupeve që keni krijuar. Shpërndarja e të dhënave e Whatsapp me Facebook në fakt ka nisur që nga 2016, megjithatë mbani në mendje se platforma e komunikimit kurrë nuk ka thënë që do t’i përdorë të dhënat e përdoruesëve, si chat-et e grupeve apo emrat e tyre, për t’i shërbyer kompanisë mëmë.

Menjëherë sapo këto të dhëna u bënë publike, edhe pse nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në chat-et private, shkaktuan alarm mes përdoruesëve. Rregullat e reja janë kritikuar në masë nga njerëzit, sidomos me pjesën e shtuar në seksionin e “Terms and Conditions”, ku thuhet që nëse nuk i pranon rregullat duhet të largohesh. Më saktësisht shkruhet: “Accept or leave”. Ndërkohë gjendja u bë më alarmuese nga informacionet e rreme që janë shpërndarë në rrjet. Kjo bëri që shumë persona ta hiqnin Whatsapp nga telefoni dhe të shkarkonin “Signal”, një nga aplikacionet që i është më i fokusuar tek bisedat private. Nisur nga kjo, Signal përgjatë kësaj jave arriti në vendin e parë në App Store në Indi për shkarkimet dhe vendin e tretë në Google Play. Përdorues i Signal është edhe Elon Musk, që i ka nxitur të gjithë ta shkarkojnë dhe ta përdorin. Një tjetër aplikacion zëvendësues për Whatsapp është edhe Telegram, që po ashtu po shkakrkohet në masë.

E gjithë kjo “braktisje” që po ndodh detyroi Whatsapp të sqaronte faktin se me rregullat e reja, askush nga Facebook nuk do mund të shohë mesazhet private të përdoruesëve apo të dëgjonte telefonatat e tyre. Të gjitha mesazhet sipas kompanisë vazhdojnë të jenë “end to end encrypted”, pra të dhënat nuk ndahen me askënd tjetër dhe kompania nuk regjistron as bisedat dhe as telefonatat. Ata nuk mund të shohin as lokacionet që shpërndahen mes përdoreusëve dhe nuk e ndan këtë informacion me kontaktet e Facebook. E ndërsa u zotuan se komunikimi do të mbetet i sigurtë, ata pranuan se është e vërtetë që chat-et mes përdoruesëve dhe bizneseve do të ndikohen nga rregullat e reja. Sipas tyre, t’i dërgosh një mesazh një biznesi në Whatsapp nuk është njësoj si t’i dërgosh një mesazh privat, duke qenë se biznesi mund të përdorë një palë të tretë për menaxhuar bisedat. Tani ata mund të lejojnë Facebook që të bëjë menaxhimin e tyre dhe të përdorë informacionet për reklamat në mediat sociale.

Whatsapp beson se përdoruesit i kanë keqinterpretuar këto rregullat dhe prandaj i kanë lënë kohë deri në 15 maj për të rënë dakord, megjithatë duket se shumë prej tyre e kanë marrë tashëm vendimin për ta braktisur.