Ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, deklaroi se Qeveria aktuale e Maqedonisë është plotësisht në përputhje me reformat dhe politikat e Komisionit Evropian në lidhje me tranzicionin energjetik dhe axhendën e gjelbër.
Në fjalimin e tij në konferencën ndërkombëtare “Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor 2022, ndërtimi i urave për paqe, progres dhe solidaritet”, organizuar nga “Ekonomist” dhe Qeveria e Kosovës, që po mbahet sot në Prishtinë, Bekteshi tha se shteti i ka zbatuar në vazhdimësi të gjitha dispozitat e reja evropiane në lidhje me mbrojtjen e energjisë dhe mjedisit jetësor.
Maqedonia e Veriut është vendi i parë anëtar i Komunitetit të Energjisë që zhvillon një Plan Kombëtar të Energjisë dhe Klimës që mbulon dekarbonizimin, efikasitetin e energjisë, sigurinë e furnizimit me energji, tregun e brendshëm të energjisë dhe kërkimin, inovacionin dhe konkurrencën”.
“Ministria e Ekonomisë, si krijuese e politikave energjetike, duke harmonizuar Legjislacionin në fushën e energjisë, krijon bazën për zhvillimin e energjisë dhe tranzicionin energjetik. Planifikimi strategjik i politikave dhe hapat e ardhshëm do të kontribuojnë në arritjen në kohë dhe korrekte të synimeve të përcaktuara, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në fjalimin e tij në panel diskutim.
Ministri theksoi se përkundër krizës energjetike që preku jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe mbarë Evropën, zhvillimi dhe investimet në sektorin energjetik është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë me synim kryesor sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji si dhe duke shkuar drejt një ekonomie të gjelbër.
Comments are closed for this post.