Përfaqësuesi i BDI-së, Adem Avziu sot në konferencën me mediat tha se partia e tyre arriti të krijojë mundësi për t’i punësuar rreth 25.000 administratorë shqiptarë në të gjitha institucionet e vendit.

“Rritëm përfaqësimin e drejtë nga 2 në mbi 20%. Për kujdesin tonë për administratorët e vijuam me ndryshimin e Ligjit për nëpunësit administrativ, me ç’rast lehtësuam mundësinë e avancimit si dhe pranimin e arsimit të lartë për të gjithë nëpunësit administrativ
që janë pranuar në punë me arsim të mesëm dhe në ndërkohë kanë mbaruar arsimin e lartë. Përkatësisht, secili nëpunës administrativ i cili dy vite ka qenë në vendin e punës në të njëjtin nivel dhe duke marrë parasysh dhe notën e fundit mesatare kur ka qenë i notuar (vlerësuar) do të mund të kalojë prej pozitës më të ulët në pozitë më të lartë të vendit të punës.”, theksoi Avziu.

Sipas tij, me këtë ndryshim, përfundimisht të gjitë administratorëve shtetërorë të cilët punojnë në vendet e punës me arsim të mesëm, ndërsa të cilët deri në miratimin e Ligjit kanë kryer arsimin e lartë, do t’u njihet, përkatësisht do t’u vlerësohet arsimi i lartë.

“Duke filluar prej datës 1 shtator të këtij viti, këta nëpunës administrativ do të kenë mundësi te personat udhëheqës të institucioneve
të tyre të parashtrojnë kërkesë për sigurimin e vlerësimit të shkallës adekuate të arsimit në komponentën bazë të pagës – pjesë e pagës mbi
shkallën arsimore, ndërsa personi udhëheqës është i obliguar që më së voni në afat prej katër (4) viteve t’i sigurojë mjetet për pagesë. Këta nëpunës administrativ, të punësuar me arsim të mesëm, ndërsa kanë kryer arsimin e lartë duke filluar prej datës 1 qershor të këtij viti, do të mund të sistematizohen në vendin e punës ,,bashkëpunëtor i ri”, nëse ka vend të tillë të lirë në Aktin e sistematizimit dhe nëse i plotësojnë kushtet në përputhje me ligjin.”, theksoi Avziu.