Atletico Madridi e ka bërë edhe një hap tjetër mbrapa në garë për titull në La Liga, pasi është mposhtur 2:1 nga Athletic Bilbao, duke ia mundësuar Barcelonës ta marrë kreun e tabelës nëse e fiton ndeshjen e mbetur.

Alejandro Berenguer në fillim të pjesës së parë dhe Inigo Martinez më minutat e fundit të ndeshjes në San Mames, shënuan për triumfin e madhe të Bilabos, ndërkohë që goli i Stefan Savic nuk mjaftoi për Atleticon.
Atletico vijon të jetë lider i La Ligës me 73 pikë, dy më shumë se Real Madridi dhe Barcelona që e ndjekin më pas. Sevilla është e katërta me 70 pikë.

Por skuadra e Diego Simeones do ta humbë kryesimin, nëse Barcelona e mposht Granadan në ndeshjen e saj të mbetur këtë të enjte.

Praktikisht, Barcelona e ka në dorë fatin për titullin e 27-të në historinë e klubit.

Atletico e mbizotëroi Bilbaon por nuk ia doli të krijojë më shumë raste shënimi.

Vendasit kaluan në epërsi pas vetëm tetë minutave lojë, kur Berenguer e mposhti Jan Oblakun me një goditje me kokë nga afërsia.

Mbrojtësi malazez Savic i dha një fije shprese Atleticos për ta shmangur humbjen dhe për ta kërkuar fitoren kur e barazoi rezultatin në minutën e 77-të, duke e futur topin në rrjetë pas një goditjeje me kokë.

Por Martinez e tundi rrjetën e Oblakut me një goditje të fuqishme me kokë pas një harkimi nga këndi në minutën e 86-të, duke ia dhënë një goditje të rëndë shpresave të Atleticos për titull.

Kjo ishte hera e tretë që Atletico lëshon pikë në pesë ndeshjet e fundit, dy humbje dhe një barazim. /Gazeta Express/