Greqia ka rezerva në lidhje me rezultatet e censit në Shqipëri. Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, tha se “rezultatet nxjerrin në pah çështje serioze që lidhen me procesin e regjistrimit, të cilat vënë në pikëpyetje vetë rezultatet”.
Edhe Omonoia i kundërshtoi rezultatet e censit, duke theksuar se qeveria nuk ka prodhuar “një rezultat të besueshëm dhe të pranueshëm” në lidhje me numrin e grekëve dhe të krishterëve ortodoksë në Shqipëri.
Gazeta greke, “Kathimerini”, ndërsa thekson se 150 000 qytetarë rezultojnë me identitet etnik të panjohur, shton se së bashku me burgosjen e kryebashkiakut të zgjedhur grek të Himarës, Fredi Beleri, tashmë eurodeputet i zgjedhur nën logon e Demokracisë së Re, kjo do të përkeqësojë më tej marrëdhëniet Athinë-Tiranë, përfshirë edhe rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Sipas censit të kryer në vjeshtën e vitit të shkuar, në Shqipëri rezultojnë rreth 23 500 grekë, rreth 2 300 maqedonas, si dhe 2 500 vllehë dhe 7 000 bullgarë që jetonin në Shqipëri, midis pakicave të tjera.
Reagime për censin ka pasur edhe minoriteti maqedonas. Pak ditë më parë, Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian i kundërshtoi rezultatet e regjistrimit, duke argumentuar se minoriteti i tyre që jeton në Shqipëri i kalon 100 000, “kryesisht i përqendruar në Mala Prespë, Gollobordë dhe Gorë”.
PAMIE pretendon se në zonën e Prespës, Gorës dhe Gollobordës ku jeton minoritet maqedonas është bërë presion nga ana e Bullgarisë dhe janë dhënë pasaporta për qytetarët shqiptarë.
Kjo shpjegon, sipas saj, praninë e 7 mijë bullgarëve që rezultuan nga censi 2023. Bullgarët u njohën si pakicë në vitin 2017, pas një rekomandimi nga Parlamenti Evropian “për të përfshirë në ligj” të drejtat e bullgarëve që jetojnë “në rajonet e Prespës, Gollobordës dhe Gorës”.
Comments are closed for this post.