Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët ka reaguar në lidhje me shtrenjtimin e çmimit të derivateve të naftës. Nga kjo parti kërkojnë që Qeveria të pranojë propozimet e tyre për zbutjen e çmimeve.

Nga ASH gjithashtu thonë se masat e ndërmarra nga Qeveria janë gjysmake dhe nuk janë të mjaftueshme.

“Shihet qartë që masat e ndërmarra nga qeveria janë gjysmake e nuk janë të mjaftueshme, prandaj sot qytetarët po paguajnë çmime shumë të larta për furnizim me karburant në pompat e benzinës. Kjo situatë po dëshmon se përsëri Qeveria do të duhet të rikthehet në propozimet e Aleancës për Shqiptarët dhe të lejë inatet e tyre politike nga të cilat pësojnë vetëm qytetarët”.

“Më 08.03.2022, Aleanca për Shqiptarët, duke pasur kujdes dhe duke menduar si gjithmonë për të mirën e portofolin (xhepin) e qytetarëve të këtij vendi, propozoi disa masa konkrete për ndryshimin e TVSH nga 18% në 5%, uljen e akcizës për benzinën nga 22 denarë në 15 denarë ndërsa për dizelin nga 15,50 denarë në 9,00 denarë, ulje në minimumin e mundshëm të marzhës së tregtimit nga ana e operatorëve që tregtojnë me pakicë dhe si masë e fundit të shihet mundësia që të ketë ngrirje të vlerës së TVSH dhe akcizës në nivelet e një limiti maksimal”.

“Por kjo qeveri e paaftë dhe jo përgjegjëse, në të shumtën e rasteve edhe joprofesionale e inatçore, nuk i morri parasysh propozimet tona, por realiteti tregoi se parashikimet e ASH janë të argumentuara e të bazuara në fakte. Prandaj Qeveria duhet një orë e më parë të ulet e ti shqyrtojë propozimet e Aleancës për Shqiptarët, pasi në tregjet botërore të karburantëve parashikohet rritje e mëtejshme e çmimit të arit të zi dhe me akcizat e taksat aktuale, çmimet me pakicë rrezikojnë të rriten edhe më shumë se që janë aktualisht”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.