Është arrestuar njëri nga të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e dyfishtë në kafeterinë “Shisha Bar” në Kalanë e Shkupit. Burime jozyrtare të policisë i kanë thënë gazetës Koha se kapja e njërit nga të dyshuarit ka ndodhur paraditen e sotme, ndërsa vijon hetimi dhe kërkimi edhe i autorëve tjerë që vranë Jeton Krivanjevën dhe Enes Isenin, ndërkohë që i plagosur mbeti Tahla Ali, kamarieri i lokalit.

Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski, nuk ka dashur të japë informata se kush është i arrestuari dhe për çfarë vepre penale dyshohet, pasi sipas tij, lënda është në Prokurori dhe për shkak të hetimeve, informata shtesë mund të japë vetëm prokurori i rastit. Në ndërkohë, zëdhënësja e Prokurorisë, Biljana Arsovska, nuk e ka pohuar por as nuk e ka mohuar informatën se i arrestuari, është njëri nga të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë në kafeterinë “Shisha Bar” në Kalanë e Shkupit.