Anglia e ka shkatërruar me rezultat 0-4 Ukrainën për të kaluar në gjysmëfinale të Euro 2020. Kane (4, 50) shënoi dy gola për Anglinë derisa realizuan edhe Harry Maguire (47) dhe Jordan Henderson (63). Në gjysmëfinale Anglia do të luajë kundër Danimarkës

Anglia ka dhuruar spektakël në Olimpico të Romës duke shënuar 4 gola kundër Ukrainës dhe vazhduar rrugëtimin e saj në gjysmëfinale të Euro 2020.

Ishte një ndeshje që Anglia e filloi shumë mirë. Raheem Sterling do të bënte një kalim të mirë para zonës së 16 metërshit të Ukrainës e ku do të pasonte për Harry Kane. Ky i fundit do të shënonte një gol të bukur në minutën e 4 për epërsinë e parë të Anglisë në këtë takim.

Në pjesën e parë nuk do të kishte më gola, por Ukraina do të tregohej disa herë e rrezikshme me daljet e tyre përpara e ku rrezikuan Pickfordin.

Megjithatë, Anglia arrinte ta menaxhonte si duhet pjesën e parë dhe arriti që ta përfundon atë me rezultat të ngushtë 0-1.

Në pjesën e dytë do të shihnim një Angli tërësisht tjetër. Ukraina do të shkaktonte një faul në krahun e majtë të fushës dhe pas kësaj Luke Shaw do të krosonte për mrekulli të kolegu i tij në Manchester United, Harry Maguire dhe ky do të shënonte një gol të bukur me kokë në minutën e 47.

Tre minuta më vonë Shaw do të ishte asistues përsëri por kësaj radhe për Harry Kane i cili po ashtu shënoi me kokë.

Anglia nuk do ta ndalte presionin. Kështu një goditje e fuqishme e Harry Kane në minutën e 62-të pritet nga portieri i Ukrainës Buchlan por Mount bën një ekzekutim të mirë të goditjes nga këndi e ku me kokë gjen më së miri mesfushorin e Liverpool, Jordan Henderson i cili shënon gol të bukur me kokë në minutën e 63-të.

Kujtojmë se ky është goli i parë për Henderson në fanellën e Anglisë edhe pse ai ka pasur 62 paraqitje për Kombëtaren angleze deri me tani.

Në pjesën e mbetur të ndeshjes Ukraina tentoi që të shënon së paku golin e nderit por pa rezultat, edhe pse pati dy mundësi të mira për të shënuar.

Në fund, ndeshja përfundoi me rezultat 0-4 dhe Anglia është në gjysmëfinale ku do të përballet me Danimarkën më 7 korrik.