Nëse është koha për një parti të qendrës, e cila do të përmbledhë përvojat dhe idetë më të mira si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, pritet të shihet. Studimet tregojnë se ka hapësirë të madhe për një projekt politik centrist, sipas modelit të “En Marche” të Emanuel Macron në Francë.

Autor: Lorik Idrizi

Shumica e maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë në Maqedoninë e Veriut janë shprehur se kanë bindje politike të spektrit centrist, njofton KDP duke u thirrur në studimin e realizuar nga instiuti gjerman “Friedrich Ebert”.

Në vend zakonisht kemi dy pole ideologjike, që dalëngadalë po profilohen mbi këto baza: i majti, ku bën pjesë LSDM e kryeministrit Zoran Zaev dhe BDI e Ali Ahmetit, dhe e djathta e liderit të VMRO-DPMNE-së së Hristijan Mickovskit dhe Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës.

Por, sa janë tëp profilizuara partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut?

Para se të kërkojmë përgjigjen në këtë pyetje do të tentojmë të rifreskojmë kujtesën lidhur me ndarjet ideologjike të partive politike.

Këtë temë e ka trajtuar analisti Xhelal Neziri në librin e tij “Kohët e eklipseve”, ku shkruan: “E mjata dhe e djathta si emërtime kanë filluar të përdoren nga Revolucioni Francez, pra ka fundi i shekullit 18-të. Këto terme i janë referuar anës në të cilët janë ulur deputetët në Parlamentin francez – në anën e djathtë ishin ulur ata që kishin përkrahur institucionet e regjimit të monarkisë, kurse në të majtën ata që kundërshtonin monarkinë dhe përkrahnin revolucionin për të krijuar republikën dhe sekularizmin. E djathta mëton të krijojë një hierarki dhe regulla shoqërore të determinuara nga natyra dhe historicizmi, e majta pretendon për një barabarësi dhe solidaritet midis grupeve të ndryshme shoqërore. E djathta ka prioritet kolektivitetin (etninë, religjionin, elitën), kurse e majta individin, qytetarin me të gjitha veçoritë e mundshme të tij. E djathta mbron interesat e kapitalistëve dhe njerëzve të pasur pasi mendon se nëse ato kanë sukses do të arrijnë të sigurojnë jetesën e shumë individëve që nuk kanë aftësi të mbijetojnë vetë. E majta, ndërkaq, mbron interesin e klasës së mesme punëtore duke pretenduar se vetëm në këtë mënyrë do të pronësia e shtetit to të mbetet te populli. E djathta tenton të ruaj vlerat tradicionale, përfshirë edhe ato fetare, duke i konservuar si të paprekshme, ndërkohë e majta kërkon një liri më të madhe të individit në raport me trendet moderne.”

Neziri në librin e tij thotë se jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë kemi të bëjmë me parti politike hibride në aspektin ideologjik.

“Pa mos i futur në kallapet ideologjike, në realitet te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës mbisundon e djathta shkaku i frikës së rrënjosur nga asimilimi që nga viti 1945 e këndej. Mbyllja e shqiptarëve në guacat etnike dhe refuzimi i integrimit në shoqërinë jugosllave është parë si formë mbijetese. Një situatë më ndryshe kemi në Shqipëri, ku e majta në fakt përbën shumicën. Në këtë vend e djathta ka ardhë në pushtet ose pas trazirave, ose pas përçarjes së të majtës. Pra, në aspektin e konservimit të vlerave etnike partitë shqiptare deklarativisht janë të djathta, por praktikisht në pushtetet shumetnike veprojnë si të majta. Në rafshin ekonomik, nga paraqitjet publike ku promovojnë barabarësi sociale, tingëllojnë si të majta, por pasurimi individual dhe etablimi i oligarkive në fakt është rezultat i veprimeve djathtiste. Në raport me religjionin ato duken si të djathta, duke promovuar vlerat fetare, por në fakt veprojnë si të majta duke i shkelur çdo ditë të njëjtat. Janë parti ideologjikisht të padefinuara, apo hibride, edhe shkaku i mungesës së debatit të argumentuar mbi ideologjitë. Rrjedhimisht, frika nga ideologjitë dhe unionet duhet t’i takojë së kaluarës jo vetëm te shqiptarët, që kanë një identitet të etabluar etnik i cili ngrihet mbi gjuhën, historinë, mitet dhe folklorin e përbashkët. Në një kohë të globalizimit, kur qarkullimi i njerëzve dhe vlerave nuk njohin kufij apo distanca gjeografike, është gati e pamundshme të konservohen vlerat etnike, kombëtare apo shtetërore dhe të njëjtat të mbyllen për ndikimet nga jashtë. Shtetet e konservuara si Korea e Veriut shihen me përbuzje dhe keqardhje anembanë globit.”, shkruan Neziri.

Nëse është koha për një parti të qendrës, e cila do të përmbledhë përvojat dhe idetë më të mira si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, pritet të shihet. Studimet tregojnë se ka hapësirë të madhe për një projekt politik centrist, sipas modelit të “En Marche” të Emanuel Macron në Francë. /KDP