Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Kyle Scott, duke folur për negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës ka thënë se diplomatët duhet të jenë optimistë.

Megjithatë, siç ka thënë ai gjendja nuk është e mirë, dialogu nuk po vazhdon dhe se ekziston mosbesimi reciprok.

“Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar, qëllimi mbetet i njëjtë. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin. Dhe në mënyrë që të ndodhë, të dyja palët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve për të parë se si mund të shkohet përpara”, ka thënë Scott.

Ai ka folur edhe rreth seancës së Kuvendit të Serbisë të hënën, duke e vlerësuar si të rëndësishme.

“Debati në parlament ishte e rëndësishëm. Për herë të parë që kur kam qenë këtu, është diskutuar haptazi në Kuvend. Ajo që presidenti serb tha ishte interesante, për tu përballur me të vërtetën e hidhur për Kosovën. Ishte pak trishtuese mungesa e opozitës, dhe kjo është një nga problemet në dialogun politik. Si qeveria ashtu dhe opozita duhet të diskutojnë hapur dallimet politike në mënyrë dinjitoze, dhe një nga ato vende është Parlamenti”, ka theksuar ambasadori amerikan në Serbi.