Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është pritur sot në Tiranë nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në takim, siç thuhet në kumtesën e BDI-së, është theksuar bashkëpunimi i lartë i deritanishëm dhe mbështetja e përkushtimi në procesin e integrimit evropian si vende që ecin të njëjtën rrugë.

“Gjatë këtij takimi, është diskutuar edhe mbi situatën në veri të Kosovës dhe nevojën imediate për arritjen e marrëveshjes së paqes me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve me qëllim të stabilitetit në Ballkan.

Ahmeti e ka informuar presidentin Begaj mbi ratifikimin e Marrëveshjes mes dy qeverive për vendosjen e vendkalimeve kufitare të përbashkëta sipas konceptit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One – stop shop”, duke theksuar se ky projekt duhet të fillojë implementimin shpejtë, për përshpejtim dhe thjeshtëzim të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave”, thuhet në kumtesë.

Në takim, siç thonë nga BDI, është biseduar edhe mbi projekte të rëndësishme siç është Korridori 8, duke u cilësuar si nyje rrugore dhe hekurudhore që nis nga portet e Bullgarisë, kalon përmes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë dhe përfundon në Brindisi të Italisë.