Një aeroplan i kompanisë “Jet2”, i cili ishte nisur nga Glasgow për të fluturuar drejt Tenerifes, e ka ndryshuar drejtimin e fluturimit dhe është kthyer për disa qindra kilometra prapa për shkak se në aeroplan mungonte uji për përgatitjen e çajit dhe kafes.

Fluturimi me numër “LS155”, u nis dje nga Glasgow në orën nëntë të mëngjesit, ndërsa aeroplani ndodhej mbi territorin e Irlandës kur u detyrua të kthehej në Aeroportin e Mançesterit, ku u lëshua pas një ore të qëndrimit në ajër.

Një zëdhënës i kompanisë ajrore ka thënë se aeroplani kishte probleme me sistemin e gypave të ujit, me ç’rast as tualetet nuk ishin funksionale. Sipas tij, stafi i aeroplanit është kujdesur shumë mirë për udhëtarët, duke ua mundësuar kalimin në një aeroplan tjetër për ta vazhduar udhëtimin.

Sidoqoftë, disa udhëtarë janë shprehur të pakënaqur me këtë problem, duke e shprehur zemërimin e tyre në rrjetet sociale. Zakonisht, aeroplanët e ndryshojnë drejtimin e fluturimit vetëm për arsye emergjente, siç është moti i lig ose ndonjë kërcënim për sigurinë e fluturimit, shkruan “Independent”.