Ka informacione operative, por për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për vendndodhjen e ish-zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, për të cilin është lëshuar një fletarrest ndërkombëtar. Kështu ka thënë ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski mbrëmë në një intervistë për emisionin “Click Plus” në TV 21, i pyetur nëse MPB ka informacione se ku ndodhet ish-zëvendëskryeministri si dhe ish-zyrtarë të tjerë të cilët nuk janë në dispozicion të autoriteteve të zbatimit të ligjit, transmeton Portalb.mk.
“Ne kemi informacion operativ për disa nga këta persona të cilët janë të përfshirë në këto procedura para-hetimore dhe hetimore në kuadër të periudhës së kaluar dhe për të gjithë ata për të cilët kemi informacione të duhura operative kemi kontaktuar shërbimet kompetente brenda shtetit. Ende nuk kemi informacione zyrtare për të konfirmuar se personi i caktuar që ju përmendët është i arratisur nga drejtësia”, tha Toshkovski në një intervistë për “Click Plus”.
Ministri shprehu keqardhjen që deklaratat se dikush është i pastër si loti dhe se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme, duke aluduar në deklaratat e Grubit pas largimit nga vendi, rezultuan të rreme.
“Më vjen keq që pavarësisht se kemi pasur deklarata në të kaluarën se persona të caktuar të cilët janë të padisponueshëm për organet e rendit, se janë të pastër si loti, se nuk kanë bërë asgjë të kundërligjshme, se kanë pasur detyrime private dhe për rrjedhojë nuk u kthye në vend, më vjen keq që çdo ditë e më shumë nga këto pretendime dalin të rreme dhe disa prej tyre ende nuk janë të disponueshme për organet e rendit”, shtoi Toshkovski.
Në një intervistë për “360 Gradë” të hënën, prokurori publik i shtetit Ljupço Kocevski tha se personalisht nuk e di se ku ndodhet për momentin Artan Gubi, por shpreson që meqë ndaj tij është lëshuar fletarrest ndërkombëtar, ai të dorëzohet në vend.
Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi është i pakapshëm për institucionet e vendit për mbi një muaj, ai ka ikur nga Republika e Maqedonisë së Veriut më 15 dhjetor 2024. Ai përmes Fejsbukut fillimisht njoftoi se ka udhëtuar jashtë vendit për vizitë private, por që nuk u kthye që atëherë.
Grubi kërkohet me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të kodit penal, e cila parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.
Në fund të vitit 2024, Artan Grubi së bashku me gjykatësin Enver Bexheti u futën në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin.
Comments are closed for this post.