Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot në takim pune priti Karlo Reslerin, eurodeputet dhe bashkëkryesues i Komitetit të Përzier Parlamentar të Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian.
Në takim, kumtuan nga MPJTJ, është diskutuar për përparimin e shtetit drejt integrimit evropian, hapat e ardhshëm në proces, si dhe mundësitë për përforcimin e bashkëpunimit.
Ministri Mucunski konfirmoi vendosmërinë e fortë të Qeverisë për të arritur përparim në rrugën evropiane të vendit, duke siguruar një proces reformues stabil në fushat kyçe, përmirësimin e kapaciteteve ekonomike dhe standardin më të mirë jetësor të qytetarëve. Me ç’rast ai u kthye edhe në marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke konfirmuar përkushtimin në anën tonë për progresin e tyre të përhershëm në bazë të parimeve të respektit dhe besimit të ndërsjellë.
“Të dy palët theksuan vlerën e mbajtjes së dialogut konstruktiv me Parlamentin Evropian në të gjitha nivelet dhe thellimin e bashkëpunimit për përparimin e interesave të ndërsjella. Ministri Mucunski e falënderoi eurodeputetin Resler për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian në lidhje me eurointegrimet e vendit dhe shprehu pritje se në periudhën e ardhshme me përpjekje të përbashkëta do të arrijmë përparim konkret në rrugën drejt BE-së”, shtohet në kumtesë.
Comments are closed for this post.