Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se dialogu me Serbinë është në një qorrsokak nga i cili nuk ka shumë rrugëdalje. Sipas tij, pas aktit të agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar, është shkatërruar minimumi i mirëbesimit që kërkohet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Ai akuzoi edhe bashkësinë ndërkombëtare që, sipas tij, po tregohen të njëanshëm në këtë proces.

Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se aleatët perëndimorë duhet të jenë të përcaktuar se çka po dëshirojnë në dialog.

“Unë konsideroj që sa i përket perspektives së dialogut, dialogu ndodhet në një qorrsokak prej të cilit nuk po shohë dalje. Këtij qorrsokaku i ka paraprirë Serbia. (Dialogu) e ka pasur arkivolin më 24 shtator me sulmin në Banjskë. Pikërisht për këtë arsye është shkatërruat edhe minimumi i mirëbesimit që kërkohet që të këtë një proces të negociatave që të vazhdoj normalisht. Ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit në arkivolin e dialogut”, u shpreh Konjufca.

Ai nënvizoi se Kosova është e gatshme për dialog, mirëpo vetëm nëse trajtohet nga BE-ja dhe aleatët si shtet i barabartë me Serbinë.

“I takon bashkësisë ndërkombëtare të jetë shumë më e përcaktuar se çka po dëshiron. Nëse dëshiron palë të barabarta në dialog si dy shtete, nëse ende mendon se principi i marrëveshjes së Ohrit me funksionu palët si shtete sovrane të kombeve të bashkuara, nëse e ndajnë mendjen me ecë në këtë rrugë Kosova është e gatshme. Mirëpo nëse dëshiron me i mbyll sytë edhe mos me reagu as kur Serbia i mbyllë kufijtë me Kosovën me mbështetje të qartë prej shtetit. Shteti serb i lejoi kriminalët që me i blloku kufijtë e Kosvoës. Ne jemi të vetëdijshëm dhe të qartë se bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në raport me dialogun”, theksoi Konjufca.

Kryeparlamentari i Kosovës po ashtu kërkoi nga perëndimorët që të marrin veprime në përputhje me të gjeturat pas aktit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Duke folur për Procesin e Berlinit dhe kritikat e emisarit të Gjermanisë, Manuel Sarrazin, ndaj Kosovës, ai tha se i njëjti nuk po tregohet objektiv dhe se s’ka pasur mirëkuptim për masat e sigurisë që Kosova i ka vendosur ndaj mallrave serbe.

Në anën tjetër, Konjufca tha se me krerët institucional të Kosovës koordinohet sa i përket politikës së jashtme. Ai tha se ka dallime të vogla sa i përket qasjes që duhet përdorur, mirëpo assesi siç tha për nga përmbajtja.

TRT Balkan / agjencitë