I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, pas takimeve me krerë të institucioneve të larta në vend dhe atyre partiakë, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise dhe duhet të kenë vullnet për koncesione “jo të lehta”, për rrugën e tyre drejtë Bashkimit Evropian (BE).
Sarrazin, në një prononcim për media nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, tha se e vizitoi Kosovën dhe në vijim do t’i vizitojë edhe vendet e tjera të rajonit për të parë arritjet e rezultateve “konkrete” për njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe se për këtë nevojiten kompromise në prag të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 14 tetor në Gjermani.
“Na duhen rezultate konkrete për të gjithë qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rezultate që tregojnë se kufijtë po bëhen më pak të rëndësishëm dhe tregtia, progresi ekonomik, janë të rëndësishme në këtë mes”, theksoi Sarrazin.
Sarrazin tha se duhet bashkëpunim rajonal më i ngushtë për të përmirësuar jetët e qytetarëve të këtij rajoni.
“Na duhet kompromis dhe ndonjëherë edhe vullnet për koncesione për t’u pajtuar në marrëveshje politike që nuk janë të lehta për Serbinë dhe për Kosovën”, theksoi Sarrazin.
Në 10-vjetorin e Samitit të Berlinit, më 14 tetor të këtij viti, do të mblidhen përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor dhe të shteteve të Bashkimit Evropian.
Sarrazin gjatë ditës së sotme takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe dy liderët e partive opozitare, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Comments are closed for this post.