Pas kërkesës së disa imamëve të Muftinisë së BFI-Tetovë që Rijaseti i BFI të shqyrtojë vendimin për shkarkimin e Qani Nesimit, Bashkësia Fetare Islame e RM ka njoftuar se e sheh të arsyeshme që Institucionet e vendit, ambasadat, opinionin e gjërë, imamët, mutevelitë e xhamive dhe besimtarët edhe njëherë t’i njoftojë me sa vijon:
- Më datë 08 nëntor 2023 Qani Nesimi shkarkohet nga detyra Mufti i Muftinisë së Tetovës me tërheqjen e Muraseles me të cilën e humb të drejtën e ushtrimit të detyrës së Muftiut dhe ështē shkarkuar edhe me vendim unanim të Rijasetit të BFI-së. Me këto vendime humb legjitimitetin e Muftiut dhe duhet t’i lëshojë zyrat e Muftinisë, njëherit nuk ka të drejtë të përdorë vulat e Muftinisë, e as të paraqitet si Mufti. Përdorimi i vulave dhe paraqitja si Mufti janë vepra penale për të cilat tanimë edhe është dënuar penalisht.
- Nga gjykata administrative të gjitha ankesat e Qani Nesimit janë refuzuar dhe me këtë ai edhe juridikisht nuk është Mufti i Muftinisë së Tetovës dhe çdo ditë që qëndron në zyrat e Muftinisë konsiderohet uzurpim i tyre dhe ligjërisht konsiderohet një qytetar i rëndomtë që ka uzurpuar me dhunë ato.
- Tanimë emri i tij si Mufti është shlyer edhe nga Regjistri qëndror dhe në vend të tij qëndron ushtruesi i detyrës dr. Selver Xhemaili i emëruar nga Rijaseti i BFI të RM;
- Shkarkimi i Qani Nesimit është bërē për shkak të aktivitetit të tij destruktiv për këto shkaqe:
– Nga momenti që i humbi zgjedhjet më 18 nëntor 2020 me rezultat 18 me 3, nuk arriti ta tejkalojë shqetësimin e humbjes dhe menjëherë filloi të mbajë distancë me organet më të larta të BFI-së;
– Mosraportimi dhe moskoordinimi me organet më të larta për çështjet e denacionalizimit të pronave që rezultoi me humbjen e disa ndërtesave te Arabati dhe 12.000 m2 si dhe shadërvani të cilat tanimë në kadastër kanë kaluar në pronë të Teteksit;
– Fyerja e organeve më të larta publikisht me fjalët më të ndyta dhe shpifjet e paargumentuara rëndë shkel Kushtetutën e BFI dhe normativën e saj;
– Mbledhjet e Muftinisë të konvokuara nga Muftiu i shkarkuar janë të pavlefshme, edhe vendimet e sjellura poashtu janë të pavlefshme, pasiqë konform Kushtetutës së BFI-së ( neni 26) çdo mbledhje ku nuk ftohet Rijaseti i BFI-së, mbledhja dhe vendimet që dalin nga ajo janë të pavlefshme;
– Moslejimi i komisionit inspektues për rrjedhat financiare, poashtu është shkelje e rëndë e Kushtetutës së BFI të RMV;
– Dy herë ka bërë tentim për destabilizim të BFI-së, që konsiderojmë se është akt i rëndë kundër rendit të BFI-së dhe organeve të saj;
– Tentimi i blerjes së barakave të vjetra që janë në pronën e vakufit të BFI, është tentim për keqpërdorim të mjeteve materiale të Muftinisë;
– Keqpërdorimi dhe falsifikimi i dokumenteve është shkelje drastike e detyrës së Muftiut;
– Mbajtja e zyrave të Muftinisë me kërcnime dhe mos lejimi për të marrë detyrën UD Muftiu dr. Selver Xhemaili është vepër e pashembullt dhe në kundërshtim me vendimet e Rijasetit të BFI të RM;
– Mbajtja e zyrave të Myftinisë së Tetovës me persona me dosje kriminale që mund lehtë të shkaktojnë akte ekstremiste dhe radikaliste me mundësi të dhunës kundër imamëve apo akte të terrorit,
Andaj, pas gjithë kësaj, apelojmë te të gjitha institucionet e vendit si: presidenca e shtetit, Kryeminisrti, zv. Kryeministri i parë, ministri i punëve të brendshme, ambasadat e BE, ambasada amerikane, besimtarët, nëpunësit fetarë, mutevelitë e xhamive të mos bien pre e mashtrimeve të ish Muftiut, dhe se ne nuk mbajmë përgjegjësi për keqpërdorimet, shkeljet dhe problemet tjera që mund të ndodhin në të ardhmen.
Kërkojmë nga organet e shtetit, sa më shpejtë këto elemente të dyshimta dhe jo legjitime të largohen nga objekti i Muftinisë që janë prona të BFI të RM, i cili mbahet i uzurpuar me dhunë.
Qani Nesimi me anë të ankesave nëpër gjykata të cilat BFI i ka fituar, ndërsa e fundit është në procedure e sipër, vazhdon uzurpimin e zyrave duke mashtruar opinion dhe besimtarët.
Ne ju shprehim mirënjohje të gjithë imamëve dhe mutevelive që nuk bien pre e dezinformatave të ish Muftiut Qani Nesimi.
Comments are closed for this post.