Në gjashtëmujorin e parë të 2024 në Shqipëri kanë hyrë 4,5 milionë turistë të huaj ose 34% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Muaji qershor, siç njoftoi ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro, solli 1,2 milion hyrje në Shqipëri ose 19,1% më shumë se qershori i vitit që shkoi.
Ministrja Kumbaro u shpreh se Shqipëria gjendet në periudhën e pikut të flukseve dhe të gjitha strukturat e shtetit që marrin pjesë në mbarëvajtjen e sezonit turistik veror vazhdojnë koordinim, së bashku me operatorët turistikë për prezantimin sa më dinjitoz të ofertës shqiptare.
“Kemi hyrë në pikun e flukseve turistike, ku së bashku me operatorët privatë që çdo ditë prezantojnë ofertën shqiptare, por edhe me përgjegjësinë e jashtëzakonshme të ofrimit të cilësisë së shërbimit, si edhe me bashkitë bashkë me të gjitha institucionet publike jemi në koordinim për mbarëvajtjen e sezonit veror”, shkruan ministrja e Turizmit dhe e Mjeidsit, Mirela Kumbaro në rrjetet sociale.
Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit mbështet 7 bashki bregdetare me operatorë shtesë pastrimi për menaxhimin e mbetjeve urbane gjatë muajve të pikut të sezonit, operacion që ka nisur që prej 15 qershorit, ndërkohë që 34 qendra shëndetësore në të gjithë vendin janë në shërbim të pushuesve.
Policia Kufitare përmes një flote të dedikuar do të ushtrojë kontrolle mbi të gjithë operatorët detarë që kryejnë aktivitete turizmi, ndërkohë aksi i ri Thumanë-Kashar i hapur që prej 30 qershorit dhe tuneli i Llogarasë i askesueshëm që prej 5 korrikut, do të lehtësojnë aksesin drejt destinacioneve turistike të vendit.
Comments are closed for this post.