Ekipi i Boston Seltiks është shpallur kampion i NBA-s, pas fitores 106-88 ndaj Dallas Maveriks në finalen e pestë, duke fituar 4-1 serinë e finaleve. Ky është titulli i 18-të në histori për ekipin e Bostonit, që bëhet kështu skuadra me më shumë tituj kampionë, një më shumë se Los Anxheles Lejkers (17).
Basketbollisti Xhejlen Braun u shpall “MVP” i finaleve, një lojtar që ka qenë lider për Bostonin këtë sezon, duke e merituar trofeun. Për sa i përket takimit të fundit, ai u fitua me meritë nga Bostoni, që para publikut të tij nuk zhgënjeu, duke triumfuar e duke festuar bashkë me tifozët.
Luka Donçiç realizoi 28 pikë e 12 kërcime për Dallasin, por nuk u mbështet sa duhet nga pjesa tjetër e skuadrës. Për Bostonin, shënuesi më i mirë ishte Tatum me 31 pikë, ndërsa Braun realizoi 21 pikë. Një sezon që Boston e dominoi dhe fitoi me meritë, pasi ishte skuadra me rekordin më të mirë në sezonin e rregullt. Kjo u pa qartë edhe në këtë finale, që nuk pati histori, me Seltiks që ngrejnë lart trofeun dhe festojnë me meritë titullin kampion, ndërsa Dallas nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të pranojë humbjen.
Comments are closed for this post.