Gjykata e Apelit ka vendosur sot që vulën e Partisë Demokratike t’ia lërë grupimit të Rithemelimit të ish-kryeministrit Berisha i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie ndërsa ka rrëzuar ankimin e grupit politik të drejtuar nga Lulzim Bashës.
Duke folur pas vendimit të gjykatës, deputeti demokrat Flamur Noka ka ftuar edhe kundërshtarët brenda radhëve të demokratëve që të bashkohen me Rithemelimin, “nëse e ndiejnë veten demokratë dhe në opozitë me narkoregjimin e Edi Ramës”, siç tha ai.
“Kjo thirrje vlen për çdo demokrat sigurisht jo për ata që e ndiejnë veten krah Edi Ramës. Çdokush që e ndjen veten demokrat dhe në opozitë me këtë narkoregjim e ka derën e PD-së të hapur dhe është i mirëpritur në shtëpinë e tij. Kjo ditë nuk është për të festuar, as pë triumf. Është një ditë e vërtetës ku demokratëve iu bëhet thirrje të jenë të gjithë bashkë kundër narkoregjimit.
Narkoregjimi duhet shembur që Shqipëria të udhëtojë në Europë. Narkoregjimi është pengesa e vetme e udhëtimit evropian të Shqipërisë. Dhe na bie barra t’i prijmë kësaj beteje.
Unë në emër të gjithë kolegëve iu bëj thirrje çdo demokrati të gënjyer, të mashtruar dhe të keqinformuar, kthehuni në shtëpinë tuaj se shtëpia juaj ka vend për çdo qytetar të këtij vendi që është kundër narkoregjimit. I bëjmë thirrje çdokujt që është kundërshtar i regjimit, nuk i bëjmë thirrje kurrë atij që është shërbëtor i këtij narkoregjimi. Në këtë oaz padrejtësish në këtë vend, ka edhe ndonjë ishull që akoma integriteti i udhëheq”, u shpreh Noka.
Në procesin e ditës së sotme Apeli nuk ka pranuar ankimin e grupit të Lulzim Bashës, duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë të marrë nga gjyqtari Agron Zhukri se vula i takon Sali Berishës.
Përgjatë seancës së sotme u dëgjuan përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike të Lulzim Bashës dhe të grupit demokrat të Rithemelimit të Sali Berishës.
Pas 2 orësh (12:35-:13:20) trupi gjykues i përbërë nga relatore Alma Ahmeti e anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro u tërhoqën në dhomën e këshillimit dhe lexuan vendimin.
Nga PD-ja e Bashës në gjykatë ishin përfaqësuesit ligjorë Indrit Sefa, Rezart Kthupi dhe Endri Hasa, ndërsa nga Rithemelimi krahas përfaqësuesve ligjorë, si Ivi Kaso ishin dhe deputetët kryesorë mbështetës si Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj.
Gjatë seancës përfaqësuesit ligjorë të Rithemelimit kërkuan që Aliebaj të mos ishte palë në proces.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i PD-së zyrtare Kthupi u shpreh se jemi në kushtet kur kemi një vijimësi të ushtrimit të kryetarit të partisë, fillimisht nga Basha, pastaj nga Alibeaj.
Grupi politik i drejtuar nga Lulzim Basha kërkoi prishjen e vendimit të Agron Zhukrit i cili njohu kuvendin e 11 dhjetorit të Sali Berishës, por rrëzoi ankimin e Bashës dhe la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë të marrë nga gjyqtari Agron Zhukri se vula i takon Sali Berishës.
Në këtë mënyrë, logoja dhe vula e Partisë Demokratike i kalon Rithemelimit të ish-kryeministrit Berisha duke i dhënë fund edhe betejës me palëve brenda Partisë Demokratike.
Comments are closed for this post.