Pikat kuantike të karbonit të bazuara në acidin kafeik, të cilat bëhen nga mbeturinat e kafesë, kanë treguar premtime në trajtimin e çrregullimeve neurodegjenerative.
Ilaçet e lira ndihmuan në mbrojtjen nga efektet e sëmundjes së Parkinsonit në eksperimentet me epruveta kur sëmundja ishte shkaktuar nga një pesticid i quajtur paraquat, kanë gjetur studiuesit amerikanë në studimin e botuar në revistën Environmental Research.
Ata shpresojnë se trajtimi mund të përdoret për t’i ndihmuar njerëzit në fazat e hershme të demencës, si dhe për të parandaluar përparimin e mëtejshëm të sëmundjes.
“CACQD kanë potencialin të jenë transformues në trajtimin e çrregullimeve neurodegjenerative. Kjo ndodh sepse asnjë nga trajtimet aktuale nuk e kuron sëmundjen, ato vetëm ndihmojnë në kontrollin e simptomave. Qëllimi ynë është të gjejmë kurën duke adresuar bazën atomike dhe molekulare që nxit këto gjendje”, është shprehur autori kryesor i studimit Jyotish Kumar, nga Universiteti i Teksasit në El Paso.
Sëmundja e Alzheimerit është forma më e shpeshtë e demencës dhe mendohet se shkaktohet nga grumbullimi i proteinave në tru, duke përfshirë tau dhe amiloid. Aktualisht nuk ka shërim për këtë sëmundje, megjithëse janë duke u testuar tre ilaçe premtuese për ta ngadalësuar përparimin e saj.
Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim i trurit që mund të shkaktojë dridhje të pavullnetshme, lëvizje të ngadalta dhe muskuj të ngurtësuar ose jo fleksibil. Nuk ka shërim, por nëse kapet herët, ndryshimet në dietë dhe ushtrime, fizioterapi, ilaçe dhe operacioni i trurit, mund të ndihmojnë në ngadalësimin e përparimit në disa raste.
Studimi i ri shqyrtoi CACQD-të, për të cilat ekspertët shpresojnë se mund të përbëjnë bazën e një trajtimi me kosto të ulët për të dyja gjendjet shëndetësore.
Comments are closed for this post.