Forcat amerikane ishin sot në shënjestër të tri sulmeve në Irak, por nuk kanë pësuar viktima, thanë burimet e sigurisë amerikane. Një patrullë e përbashkët e forcave amerikane dhe shërbimit irakian kundër terrorizmit u shënjestruan nga një mjet shpërthyes pranë qytetit verior të Mosulit, duke shkaktuar dëme në një automjet, por jo edhe viktima, thanë dy burime të sigurisë.
Një zyrtar ushtarak amerikan konfirmoi se një autokolonë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja hasi në një mjet të improvizuar shpërthyes (IED) në afërsi të Digës së Mosulit.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se në 24 orët e fundit ka pasur katër sulme kundër trupave amerikane në Irak dhe Siri.
Tre ushtarë amerikanë kanë pësuar lëndime të lehta, shtoi zyrtari, raporton reuters.
Dronët e armatosur gjithashtu shënjestruan bazën ajrore al-Harir në Erbil dhe bazën ajrore Ain al-Asad në perëndim të Bagdadit, ku gjenden forcat amerikane dhe ndërkombëtare. Dronët u rrëzuan nga mbrojtja ajrore dhe nuk u shkaktuan viktima. Ndryshe, trupat amerikane dhe të koalicionit janë sulmuar të paktën 40 herë në Irak dhe Siri që nga fillimi i tetorit për shkak të ofensivës izraelite në Gaza. /Telegrafi/
Comments are closed for this post.