Aleatët e Turqisë në NATO kanë shpresuar për një miratim të shpejtë të kërkesës së Suedisë për t’iu bashkuar aleancës veri-atlantike, kur deputetët turq të kthehen në parlament në fillim të tetorit. Këto shpresa, megjithatë u shuan kur u mësua se ky votim nuk ishte në rendin e ditës së parlamentit.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se miratimi i protokollit të anëtarësimit të Suedisë në NATO nga vendi i tij lidhet me miratimin nga Uashingtoni, të vendimit për shitje të avionëve luftarakë amerikanë, F-16, Turqisë.

“Çështja kryesore në këtë pikë është shitja e avionëve të sapoprodhuar F-16 dhe pajisjeve shtesë të tyre, vendim që nuk po miratohet nga Kongresi amerikan. Sigurisht, ekziston një lidhje midis këtyre dy çështjeve”, thotë Serhat Guvenc, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has të Stambollit.

Disa ligjvënës në Kongresin amerikan kundërshtojnë shitjen e avionëve pasi janë të shqetësuar rreth kërcënimeve turke ndaj Greqisë fqinje.

Zoti Erdogan, i cili mbështeti anëtarësimin e Suedisë në NATO, tani thotë se nuk mund të japë garanci mbi votën pro të deputetëve të tij në parlament.

“Tashmë kjo është kthyer në një cështje se kush duhet të veprojë i pari. Uashingtoni është i shqetësuar se ata mund t’i shesin avionët F-16 dhe Turqia të mos e miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Ankaraja është e shqetësuar se Turqia mund ta bëjë këtë dhe Uashingtoni të mos përgjigjet. Ky është problemi”, thotë Ozgur Unluhisarcikli, udhëheqësi i zyrës së Planit gjerman Marshall në Ankara.

Vëzhguesit thonë se kërcënimi i vazhdueshëm që vjen prej agresionit rus do të thotë se Uashingtoni ka interes që NATO të pranojë Suedinë dhe një vonesë e shkaktuar nga Turqia ka të ngjarë të krijojë pakënaqësi tek udhëheqësit amerikane.

Megjithatë, vëzhguesit thonë se mundësitë e Presidentit amerikan Joe Biden janë të kufizuara, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta të Presidentit Erdogan me udhëheqësin rus Vladimir Putin.

“Ata mendojnë se nëse do ta shtynin Turqinë të kryente votimin ose të paktën të ishte një lojtar brenda kampit të Perëndimit, kjo do ta zemëronte Erdoganin dhe do ta nxiste atë të afrohej me rusët dhe iranianët”. thotë analisti Sinan Ciddi nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington.

Bllokimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO është pjesë e një problemi më thelbësor mes Presidentëve Erdogan dhe Biden, thonë disa vëzhgues, pasi udhëheqësi amerikan e ka kufizuar kontaktin e tij me homologun turk në bisedime të shkurtra gjatë takimeve ndërkombëtare. Ata thonë se kjo e ka vështirësuar zgjidhjen e problemeve të vazhdueshme dypalëshe.

“Erdogani sapo fitoi zgjedhjet. Për pesë vjet të tjera ai do të jetë president i një vendi që është mjaft i rëndësishëm për NATO-n, për Lindjen e Mesme, Kaukazin dhe për Detin të Zi. Pyetja që shtrohet është; edhe për sa kohë Shtetet e Bashkuara mund të shmangin marrëdhëniet dhe bisedat me këtë vend dhe udhëheqësin e tij?”, thotë Mustafa Aydin, nga Këshilli i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Turqisë.

Shumë vëzhgues megjithatë paralajmërojnë se një takim i nivelit të lartë SHBA-Turqi nuk ka gjasa të ndodhë për sa kohë që Presidenti Erdogan vazhdon të bllokojë zgjerimin e NATO-s./Voa