Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) i ka dhuruar Spitalit të Qytetit të Shkupit “8 Shtatori” pajisjen e quajtur Densitometria Kockore, me ç’rast është hapur edhe Qendra e Parë e Osteoporozës në spital.

Në aktivitet morën pjesë ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë Fatmir Mexhiti, kreu i TIKA-s për Ballkanin dhe Evropën Lindore Muhammed Unal, koordinatori i TIKA-s për Shkupin Halim Omer Sogut si dhe drejtori i spitalit prof. dr. Hristijan Kostov.

Në deklaratën e tij për mediat, ministri Mexhiti tha se kjo ngjarje paraqet një hap përpara në përkushtimin e tyre për të ofruar kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës për qytetarët.

Duke falënderuar TIKA-n për donacionin në fjalë, Mexhiti tha: “Me prezantimin e këtij osteodensitometri do të përmirësohen kushtet për diagnostikimin dhe menaxhimin e osteoporozës. Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi në kujdesin shëndetësor është sigurimi i aksesit në kohë në shërbimet për pacientët tanë. Osteodensitometri do të na lejojë të adresojmë drejtpërdrejt këtë sfidë”.

Unal rikujtoi se TIKA nga viti 2005 në Maqedoninë ka zbatuar 1.200 projekte dhe aktivitete.

Sipas tij, nga këto projekte 30 janë në sektorin e shëndetësisë. “Kemi kënaqësinë t’i dhurojmë këtë pajisje një institucioni, spitali publik, e cila tashmë është në dispozicion të disa spitaleve private. Është e rëndësishme të rritet cilësia e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve dhe të përfitojnë më shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut”, tha kreu i TIKA-s për Ballkanin dhe Evropën Lindore, Muhammed Unal.

Ndërkaq, Kostov tha se qendra e hapur në kuadër të spitalit përbëhet nga një klinikë në të cilën ndodhet aparati i osteodensitometrit, i cili është më i nevojshëm për diagnostikimin e sëmundjes së osteoporozës.

“Në 50 vitet e ekzistencës së spitalit, kjo është hera e parë që spitali posedon një qendër të tillë për osteoporozë, pra një procedurë diagnostike për matjen e densitetit të indit kockor”, tha Kostov duke falënderuar TIKA-n dhe Türkiyen për donacionin që shërben për përmirësimin e sistemit dhe aftësive shëndetësore në Maqedoni.