Ndryshimet në ligjin kinez për kundërspiunazhin, që hyjnë në fuqi të shtunën, mund të krijojnë edhe më shumë sfida për korrespondentët e huaj që raportojnë nga brenda vendit, thonë gazetarë dhe analistë.

Të miratuara në prill, këto ndryshime zgjerojnë spektrin e asaj që mund të përkufizohet si spiunazh dhe ndalojnë transferimin e çdo informacioni që konsiderohet se ka lidhje me sigurinë kombëtare.

Disa gazetarë të huaj me bazë në Kinë, thonë se po presin me shqetësim të shohin se si këto ndryshime do të ndikojnë në punën e tyre. Analistët e lirisë së shtypit nga ana tjetër, parashikojnë se ato do ta bëjnë më të vështirë sigurimin e informacioneve për të raportuar.

“Shumë prej nesh janë të shqetësuar rreth saj se çfarë janë dhe çfarë nënkuptojnë këto ndryshime. Është pak e vështirë të thuhet për momentin, pasi nuk është plotësisht e qartë se çfarë janë dhe si do të zbatohen“, tha për Zërin e Amerikës një korrespondent i huaj që raporton nga Pekini. Ai kërkoi të mos identifikohet për shkak të shqetësimeve të lidhura me sigurinë e tij.

Çdo veprim për të mbledhur informacion ka gjasa të interpretohet si shkelje e këtij ligji”, shtoi gazetari.

Rishikimet zgjerojnë përkufizimin e asaj çka quhet spiunazh, duke përfshirë qasjen tek “dokumentet, të dhënat, materialet ose sendet që lidhen me sigurinë dhe interesat kombëtare”.

Sipas Cedric Alvianit, përfaqësues i organizatës Reporterë pa Kufij, “në thelb kjo do të thotë të çdo lloj informacioni”.

Ndryshimet do t’u japin autoriteteve gjithashtu mundësinë për të mos lejuar persona të ndryshëm të largohen nga vendi, pavarësisht nga kombësia e tyre, si dhe fuqi gjithëpërfshirëse për të hetuar këdo që dyshohet për spiunazh.

Si përgjigje ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për koment, Ambasada kineze në Uashington iu referua një deklarate të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, e cila gjatë një Konference për shtyp kohët e fundit tha se: “Nuk është e nevojshme të bëhet një lidhje mes ligjit kundër spiunazhit, me aktivitetin e gazetarëve të huaj”.

“Kina gjithmonë i mirëpret organet e mediave dhe gazetarët e të gjitha vendeve për të kryer intervista si dhe që të shkruajnë artikuj në Kinë, në përputhje me ligjet dhe rregulloret, dhe ne do t’u ofrojmë lehtësim dhe ndihmë atyre“, shtoi ajo. “Për sa kohë që dikush respekton ligjet dhe rregulloret, nuk ka nevojë të shqetësohet“, tha ajo më tej.