Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Naser Kanani sot konfirmoi se Irani dhe SHBA kanë pasur bisedime indirekte. Sipas njoftimeve, bisedimet janë zhvilluar muajin e kaluar në Oman.

Mediat informojnë se tema boshte e bisedës ka qenë tensioni në rritje dhe shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë në lidhje me programin bërthamor iranian.

Përgjigja e sotme e Kananit është edhe konfirmimi i parë nga qeveria iraniane për ekzistimin e negociatave indirekte.

Administrata e Bajdenit nuk ka konfirmuar publikisht për mbajtjen e bisedimeve.

Kanani në brifingun me gazetarë tha se qeveria iraniane ka shkëmbyer porosi me SHBA-në në lidhje me heqjen e sanksioneve.

Ai shtoi se Irani nuk ka biseduar për marrëveshje të përkohshme apo tjetër që nuk bazohet në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Bret Mekgurk më 8 maj fshehurazi udhëtoi në Oman për bisedime me zyrtarë të Omanit rreth kontakteve të mundshme diplomatike me Iranin mbi programin bërthamor, theksohet në raportet e mediave.

Sipas tre burimeve të informuara për këtë çështje, në të njëjtën kohë në Oman ka arrit një delegacion iranian.

“Kryenegociatori iranian Ali Bageri Kan ka qenë pjesë e delegacionit”, deklaroi një nga burimet.

Mekgurk dhe autoritetet iraniane nuk kanë pasur takime të drejtpërdrejta, theksojnë burimet.

Mediat madje raportojnë se SHBA kanë vënë në dijeni qartë se Irani do të paguajë një çmim të lartë nëse vazhdon pasurimin me uranium deri në 90 për qind, që është niveli i nevojshëm për prodhimin e armëve bërthamore.