NATO ka nisur stërvitjen më të madhe ajrore ndonjëherë në Europë më 12 qershor, për të shfaqur unitetin drejt partnerëve dhe ndaj kërcënimeve të mundshme, sikurse Rusia.

Në stërvitjet Air Defender ’23, që udhëhiqen nga Gjermania, do të përfshihen rreth 250 avionë luftarakë nga 25 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere, përfshirë Japoninë dhe Suedinë. Stërvitjet do të zgjasin deri më 23 qershor, përcjell klankosova.tv.

Deri në 10.000 ushtarë marrin pjesë në stërvitjet që kanë për synim të rrisin ndërveprimin dhe gatishmërinë për t’u mbrojtur ndaj sulmeve me dronë dhe raketa, në rast të ndonjë sulmi brenda territorit të NATO-s.

”Mesazhi i rëndësishëm që po dërgojnë është se ne mund të mbrojmë veten”, ka thënë gjenerallejtënant, Ingo Gerhartz.

Stërvitjet Air Defender u krijuan më 2018 si pjesë e përgjigjes ndaj aneksimit të Rusisë së gadishullit ukrainas të Krimesë, edhe pse Gerhartz insistoi se ky më nuk është synimi.

Ai tha se stërvitjet ‘nuk do të dërgojnë, për shembull, asnjë avion në drejtim të Kaliningradit’, një enklavë ruse që gjendet në kufi me shtetet anëtare të aleancës, Poloninë dhe Lituaninë.

”Ne jemi aleancë mbrojtëse dhe kështu janë planifikuar këto stërvitje”, theksoi ai.