Kompania elitë në fluturimet low cost, Ryanair, i shtohet flotës së fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza. Prezenca e kësaj linje ajrore, më e madhja në Europë që operon më kosto ekonomike, për Kryeministrin Edi Rama përkthehet vetëm në një fakt, që Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik global.
“Ardhja e Ryanair me 18 destinacione nga Tirana nëpër Europë tregon që ne kemi marrë një vulë të rëndësishme”, tha Rama.
Për Ramën, shtimi i kësaj linje, përveçse është një dëshirë e përmbushur e tij, tregon që edhe vetë Aeroporti Nënë Tereza është një histori suksesi.
“Faktet flasin se jemi në kushtet e një historie krejt tjetër. Zgjidhja e problemit kronik të parkimeve është tanimë në rrugë, ashtu sikundër edhe investimi i madh për energjinë diellore është një tjetër lajm jashtëzakonisht pozitiv”, tha Rama.
Ndërsa Zëvedëskryeministrja Belinda Balluku, foli me shifra sa i takon rritjes së hyrje-daljeve nga Tirana për në destinacionet ndërkombëtare, duke treguar që tashmë ata kanë arritur çdo pritshmëri dhe objektiv.
“Që ne kishim parashikuar për këtë vit ishin 6.5, por ju siguroj që ne do të presim më shumë se 6.5 milionë pasagjerë. Sot ne punojmë me shifrat që ishin parashikuar për 2027”, tha Balluku.
Shtimi Linjës Ajrore Ryanair jo vetëm që rrit shërbimin, por shton destinacionet e reja dhe konkurrencën.
Comments are closed for this post.