Ministria e Arsimit njoftoi se urdhri për pagesën e mjeteve në bazë të ushqimit të subvencionuar për studentët është dorëzuar në Ministrinë e Financave për përpunim të mëtutjeshëm, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Një komision në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka kontrolluar aplikimet e studentëve për plotësimin e kushteve sipas Ligjit për ushqimin e subvencionuar të studentëve, përmes krahasimit me të dhënat e marra nga institucionet tjera kompetente – IRS, ESA, FPIOM, Ministria e Brendshme dhe të gjitha universitetet.

Çdo student që ka plotësuar kushtet do të marrë mjete për dy muaj e gjysmë, pra për gjysmën e shtatorit dhe për tetor dhe nëntor.

Kujtojmë se gjatë thirrjes për ushtrimin e të drejtës së ushqimit të subvencionuar të studentëve, e cila zgjati nga data 25 nëntor deri më 3 dhjetor, janë pranuar mbi 31 mijë aplikime.