Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në Shkup sot ka takuar homologun e tij kosovar, Glauk Konjufca. Xhaferi tha se në takimin është konstatuar se vazhdojmë të kemi marrëdhënie bilaterale konstruktive dhe intensive, pa çështje të hapura, me bashkëpunim në sfera të shumta me interes të ndërsjellë.
“Ne e mbështesim nismën për mbajtjen e seancës së dytë ndërqeveritare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës. E informova se në Kuvend është ratifikuar Marrëveshja për bashkëpunim në turizëm ndërsa në procedurë parlamentare janë ligji për bashkëpunim në lidhje me diasporën, për statusin e pjesëtarëve të Armatës sonë dhe Forcave të sigurisë të Kosovës gjatë stacionimit në territoret e të dyja shteteve dhe për partneritet në kontekst të grant marrëveshjes për ndihmë teknike në suazat e Programit IPA. Këtu bën pjesë shfrytëzimi i IPA fondeve në drejtim të hapjeve të kalimeve kufitare të reja dhe modernizimi i atyre ekzistuese”, ka thënë Xhaferi.
Xhaferi tha se në lidhje me dialogun Prishtinë – Beograd, qëndrimi i tyre është i njëjtë si edhe më parë.
“Mbështetje e plotë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, të pranueshme për të dyja palët, marrëveshje me të cilën do të garantohet paqja, stabiliteti, siguria dhe përparimi i të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi. Natyrisht, marrëveshja e arritur për targat e regjistrimit me ndërmjetësimin e BE-së është akt i cili ndikon në uljen e tensioneve në Veri të Kosovës, është shenjë pozitive dhe nxitje për vazhdimin e negociatave deri në normalizimin e raporteve mes dy vendeve”, ka thënë Xhaferi.
Comments are closed for this post.