Ndryshimi i motit dhe ulja e temperaturave kanë ndikuar në rritjen numrit të fëmijëve të prekur nga virozat sezonale në rajonin e Kumanovës. Numri i të sëmurëve në këtë periudhë është rritur shumë, brenda 24 orëve kryejmë mbi 100 kontrolle.

“Në repartin tonë për momentin janë hospitalizuar 30 pacientë, kurse ata me pasqyrë më të butë klinike trajtohen në spital ditore dhe arrin numri në 20. Simptomat zakonisht janë temperatura e lartë, rrjedhje të hundës apo sekrecion nga hunda kollitje e cila fillimisht është e thatë e me kalimin e kohës bëhet më e lëngshme”, tha shefja e Repartit për Sëmundje të Fëmijëve në Spitalin e Kumanovës, dr. Ferihan Bajrami.

Rastet kur pacientët janë me diagnozë më të rëndë trajtohen në mënyrë parenterale me antibiotikë intravenoz, ndërkaq rastet më të lehta trajtohen me terapi simptomatike. Ajo gjithashtu apeloi për kujdes më të shtuar me qëllim parandalim e përhapjes së virozave sezonale.

Reklama

“Kisha preferuar që në këtë kohë, nëse ndonjë prind ka ndonjë nga fëmijët të sëmurë menjëherë ta izolojë atë dhe ta ndaloj së kontaktuari me ndonjë të shëndoshë për shkak se shumë shpejtë përhapet infektimi edhe tek të shëndoshët, pasi që ky virus mund të përhapet me anë të ajrit, të të folurit, kollitjes, kështu që të izolohen nga të tjerët, të dalin në ambiente të hapura, të shëtisin dhe të ushqehen me ushqime me më shumë vitamine dhe minerale”, tha për TVM2 shefja e Repartit për Sëmundje të Fëmijëve në Spitalin e Kumanovës, Dr. Ferihan Bajrami.

Virozat e këtilla vazhdimisht janë të pranishme tek fëmijët gjatë kësaj periudhe të vitit, andaj edhe u apelohet prindërve për masa shtesë mbrojtëse që mos të preken fëmijët e tyre nga viruset sezonale.