Rezultati i zgjedhjeve në Suedi ka qenë shumë i ngushtë për të shpallur rezultatin, ka thënë kryeministrja e këtij shteti, Magdalena Andersson.

Në sondazhe fillimisht është parashikuar fitorja e koalicionit të krahut të majtë – që është në pushtet – mirëpo rezultatet më vonë kanë sugjeruar se mund të fitojë blloku i krahut të djathtë.
Imigrimi dhe veprat kriminale kanë qenë dy çështje kyçe të fushatës.
Partia e ekstremit të djathtë, Demokratët e Suedisë, synon të bëhet partia e dytë më e madhe në shtet.

E krijuar nga një lëvizje neo-naziste në fund të viteve 1980, partia kundër migrimit, Demokratët e Suedisë, ka hyrë në Parlament me 5.7 për qind të votave më 2010, duke u rritur më pas në 17.5 për qind më 2018.

Kësaj here synon të fitojë më shumë se 20 për qind.

Megjithatë, lideri i saj, Jimmie Akesson, nuk pritet të bëhet kryeministër edhe nëse blloku i krahut të djathtë fiton numrin më të madh të ulëseve.

Lideri i Partisë së Moderuar, Ulf Kristersson pritet të marrë atë pozitë, nëse Demokratët e Suedisë bëhen pjesë e qeverisë së tij.

Procesi i numërimit të të gjitha votave mund të zgjasë deri të mërkurën.

Demokratët Socialë të Anderssonit kanë qeverisur Suedinë prej vitit 2014 dhe kanë dominuar skenën politike prej viteve 1930.

Dalja në këto zgjedhje besohet se ka qenë e lartë, pasi mbi 80 për qind e popullsisë – 7.8 milionë banorë me të drejtë vote – besohet se kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre.

Fushata zgjedhore është dominuar nga rritja e numrit të të shtënave nga bandat, çështjet e imigrimit dhe rritja e çmimeve të rrymës.

Ndonëse dhuna fillimisht është bllokuar në disa lokacione, më vonë është zgjeruar në hapësira publike sikurse parqe dhe qendra tregtare, duke rritur shqetësimet mes banorëve suedezë, pasi shteti i tyre njihet si vend i sigurt dhe paqësor.