Ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i ka dhënë mbështetje propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Maqedoninë e Veriut dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të këtij vendi.
Lideri i partisë opozitare bullgare, GERB, Borisov të mërkurën i ka bërë thirrje Qeverisë së kryeministrit Kirill Petkov, që të paraqesë propozimin në Parlament, që të miratohet nga shumica e ligjvënësve bullgarë.
Borisov e ka vlerësuar si “shumë të mirë” propozimin francez, meqë, siç ka thënë, i përmban të gjitha kërkesat e palës bullgare,
“Teksti është vërtet shumë i mirë. Ai përfshin gjithë frikën dhe ankthet dhe atë që shqetëson Bullgarinë… Çfarë tradhtie mund të ketë në atë që të dy kombet të jenë në të njëjtin komunitet? Në vend që të debatojnë në rrjetet sociale, a duhet të përqafohen brezat e rinj?”, ka thënë Borisov në një konferencë për media në Sofje.
Propozimi evropian parashikon që kushtet e Bullgarisë të bëhen pjesë e angazhimeve të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.
Sipas Borisovit, shumica e deputetëve të Parlamentit të Bullgarisë do ta mbështesin propozimin francez.
Vendimi i ish-kryeministrit bullgar është mirëpritur nga komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Vahelyi.
“Falënderojmë liderin e opozitës GERB për marrjen e një vendimi historik për Evropën dhe për pranimin e pranimit të negociatave bazuar në propozimin që lejon të vazhdojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. Ne presim që Qeveria t’i bëjë propozimet e nevojshme Parlamentit sot, në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara”, ka shkruar në Twitter, komisioneri Varhelyi.
Propozimi ende nuk është publikuar, por jozyrtarisht ai përmban disa pika; Maqedonia e Veriut duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, se do ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, do t’i rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, do të harmonizojë tekstet shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, do t’i heqë të gjitha tabelat që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndërsa dy vendet do të dërgojnë qëndrime të njëanshme lidhur me pozicionet e tyre për gjuhën maqedonase.
Për këtë propozim në orët e pasdites pritet të nisë debati në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit të Bullgarisë, dhe me mbështetjen e partisë GERB, propozimi do të miratohej nga deputetët në seancë plenare.
Parlamenti bullgar, ndërkohë, po debaton edhe për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.
Mbështetje propozimit francez i ka dhënë edhe presidenti Rumen Radev, ndërsa kundër janë shprehur partitë tjera opozitare, përfshirë edhe partinë “Ka një popull të tillë” të Sllavi Trifonovit, e cila u largua nga Qeveria dhe paraqiti nismën për mosbesimin e Qeverisë.
Institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë komentuar zhvillimet në Bullgari dhe as përmbajtjen e propozimit francez me përjashtim të opozitës që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, e cila e ka refuzuar duke e konsideruar të dëmshëm për interesat kombëtare e shtetërore maqedonase.
Maqedonia e Veriut që nga nëntori i vitit 2020 nuk mund të nisë bisedimet me BE-në për shkak të vetos bullgare.
Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit ndërmjet dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe së kaluarës historike.
Dy vendet në vitin 2017 kishin nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por në vend të ngritjes së raporteve, kjo marrëveshje ka hapur temat, të cilat mes dy vendeve janë aktuale që nga periudha e para Luftës së Dytë Botërore./rel/
Comments are closed for this post.