Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska sot ishte për vizitë në Lidhjen e shoqatës së pensionistëve të Maqedonisë, në të cilën kanë folur për ndryshimet e fundit të Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor që kanë hyrë në fuqi në mars të vitit 2022 dhe me të cilat u vendos mënyrë e re e harmonizimit të pensionit.

“Në pajtim me metodologjinë e re për harmonizimin e pensioneve që do të përdoret me pagesën e pensionit të shtatorit, pensionet do të harmonizohen me model të kombinuar prej 50 për qind rritje të pagës mesatare dhe 50 për qind rritje të shpenzimeve për jetesë. Në pajtim me analizat fillestare me të cilat disponojmë, ndërsa janë marrë nga Ministria e Financave, harmonizimi në pajtim me ndryshimet e ligjit do të kontribuojë drejt rritjes së pensioneve për të paktën gjashtë për qind”, tha Trençevska.

Ajo theksoi se pensioni mesatar aktual që është 16.300 denarë me këtë harmonizim do të rritet për rreth 1000 denarë.

“Kjo shumë, gjithsesi nuk është definitive, mund të jetë më e madhe varësisht të dhënave zyrtare të cilat do t’i marrim nga Enti Shtetëror për Statistikë në pajtim me të cilat do të bëhet harmonizimi i pensioneve”, shtoi ministrja.

Ajo theksoi se edhe krahas metodologjisë së re për harmonizimin e pensioneve, kanë siguruar edhe mbështetje financiare të pensionistëve prej 1000 denarë për tre muaj me qëllim që të zbuten pasojat e krizës ekonomike, kovidiane dhe krizës së çmimeve. Trençevska potencoi se 330 mijë pensionistë tashmë e kanë marrë mbështetjen e parë financiare për muajin mars, ndërsa me dy pensionet e ardhshme do t’i marrin edhe shumat e tjera.