“Nuk ka pasur asnjë qëllim për të mbuluar rastin e vdekjes së hendbollistit Dennis Tot. Ngatërresa me informacionet ka ardhur për shkak të vlerësimit të dobët mjekësor”, ka deklaruar për televizionin kroat RTL, kreu i Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, Gavrill Bubevski.
“Mendoj se asesi nuk ka pasur qëllim që të fshihet. Thjesht, ashtu kanë qenë rrethanat. Mendoj se ka qenë një vlerësim i dobët mjekësor dhe vazhdoj t’i qëndroj këtij mendimi. Informacioni im i fundit tregon se personi që ka nisur gjithë këtë është në kërkim. Ai fillimisht ka goditur hendbollistin i cili as nuk është mbrojtur dhe më pas dy të tjerët e kanë godidur me këmbë në kokë”, tha Bubevski.
Hendbollisti kroat i Butelit, Denis Tot, ndërroi jetë në spital pasi u sulmua nga tre persona para një diskoteke në parkun e qytetit të Shkupit.
Fillimisht nga MPB deklaruan se Denis Tot ka vdekur pa shenja dhune, ndërsa pas autopsisë së realizuar u vërtetua se ai është sulmuar nga tre persona. Dy prej të dyshuarve janë arrestuar, ndërsa i treti është në arrati./Telegrafi/
Comments are closed for this post.