Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë urdhëresë për kryerjen e hetimeve kundër 26 vjeçarit nga Shkupi i dyshuar për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion, që është e dënueshme sipas nenit 300 paragrafi 2 lidhur me nenin 297 paragrafi 1, si dhe – Mosdhënia e ndihmës të lënduarit në aksident trafiku nga neni 301 paragrafi 1 i Kodit Penal.

Më 2 prill i dyshuari ka shkaktuar aksident trafiku me çrrastë me një veturë me targa të Shkupit dhe pa patentë shoferi ka goditur një motoçikletë me të cilën po transportoheshin dy persona.

Pas aksidentit, pa u ofruar ndihmë të lënduarve të cilët kanë mbetur të shtrirë në rrugë, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes. Në aksident lëndime të rënda trupore ka marrë personi i cili drejtonte motoçikletën, ndërsa pasagjeri i motoçikletës ka marrë gjithashtu lëndime të rënda trupore pas të cilave dhe ka ndërruar jetë.

Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë se i dyshuari mund të ikë apo ta përsërisë veprën penale, prokurori publik i ka dorëzuar urdhëresë gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale në Shkup caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Në urdhëresë prokurori publik ka përmendur faktin se menjëherë pas aksidentit i dyshuari është larguar pa u përpjekur t’i ndihmojë viktimat, gjë që është dëshmi e dukshme e shmangies së tij për t’u përballur me pasojat e veprimeve të kundërligjshme.