Bullgaria ka dëbuar 10 diplomatë rusë, duke thënë se ata kanë kryer aktivitete që konsiderohen në mospërputhje me statusin e tyre diplomatik. Ministria e Jashtme bullgare ka thënë se u ka dhënë 10 diplomatëve, 72 orë për t’u larguar nga shteti. Në deklaratë nuk janë dhënë hollësi për arsyet e dëbimit, mirëpo prej kur Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, ambasadori rus në Sofje ka bërë vazhdimisht deklarata kontradiktore rreth pozicionit të Bullgarisë në konflikt. Ministria nuk ka thënë po ashtu se kush është në listën e të dëbuarve. Ambasada ruse në Sofje ka thënë të premten se vendimi i Bullgarisë për diplomatët rusë është “një tjetër hap agresiv”, për të cilin Moska do të përgjigjet. “Ky demarsh armiqësor do të marrë një vlerësim dhe një reagim përkatës, adekuat për frymën e re të marrëdhënieve dypalëshe”, ka thënë ambasada.