Çmimi i vajrave ushqimore të importuara gjatë dy muajve të parë të vitit dhe ditët e para të marsit ka qenë 1.22 euro deri në 1.45, ndërsa vetëm dje gjatë ditës në Kosovë çmimi i vajit ka shkuar në 3.49 euro.

Pas ngritjes së çmimeve kohëve të fundit, Dogana e Kosovës ka analizuar sektorin e importit të vajrave ushqimore.

“Derisa në vitin 2022 (periudha Janar -Shkurt dhe një pjesë e marsit) në Kosovë janë importuar 3.3 milion litra vaj luledielli i përpunuar dhe 1.4 milion litra vaj luledielli i papërpunuar. Vajrat uqshimore në import kanë variuar në çmim gjatë vitit këtyre dy muajve nga 1.22 euro/cent deri në 1.45 euro/cent”, thuhet në komunikatën e Doganës.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës gjatë vitit 2021 në total janë importuar vaj luledielli i përpunuar rreth 17.7 milionë litra vaj derisa janë importuar edhe 5 milionë litra vaj luledielli i papërpunuar.

“Vajrat ushqimore në import kanë variuar në çmim gjatë vitit 2021 duke filluar 1.11 euro/cent në janar të 2021 e ka shënuar rritje ne 1.44 euro/cent në dhjetor të vitit 2021, derisa taksat që paguan një litër vaj në import është TVSH-ja e reduktuar 8%. Derisa vajrat e papërpunuara nuk paguajnë asnjë taksë pasi konsiderohen lëndë e parë për prodhim”, thuhet tutje në komunikatë.

Dogana e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente kanë deklaruar se do të vazhdojë të ushtrojë kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.