Pas kalimit të filtrit të parë në Kuvend, ndryshimet ligjore për rritjen e pagës minimale, sot ndodhen para komisioneve parlamentare. Projektligji, sipas orarit të Kuvendit, është në rend dite të seancave të Komisionit për punë dhe politikë sociale dhe Komisionit juridiko-ligjvënës, transmeton Portalb.mk.
Nevoja për miratimin e ndryshimeve ligjore u votua më 10 shkurt në seancën plenare me 101 vota “për” dhe asnjë kundër. Ndryshimet ligjore janë bërë në procedurë të shkurtuar pasi janë dakorduar me negociata ndërmjet Qeverisë, Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM) dhe Organizatës së punëdhënësve.
Paga e re minimale duhet të fillojë me pagesën e muajit mars.
“Me propozim-ndryshimet ndryshojnë kriteret për përshtatjen vjetore të pagës minimale me 50 për qind të rritjes vjetore të pagës mesatare dhe 50 për qind të rritjes së kostos së jetesës sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (EShS). Ndryshimet e propozuara parashikojnë që shuma e pagës minimale të mos jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare të shpallur nga ESHS për vitin e kaluar. Këto ndryshime do të përfshijnë rreth 80.000 bashkëqytetarë tanë të cilët me pagesën e pagës së muajit mars do të rriten nga 15.200 në 18.000 denarë”, tha ministrja e punës dhe politikës sociale Jovanka Trençevska, duke sqaruar ligjin para deputetëve më 10 shkurt.
Siç ishte dialogu për pagën minimale, sot duhet të fillojnë bisedimet edhe për rritjen e pensioneve, ndërsa as paga minimale dhe as pensionet nuk do të kenë nevojë të ribalancohen nga buxheti, siguruan nga Qeveria.
“Edhe për pagën minimale edhe për pensionet nuk duhet të bëhet ribalanc. Ato tashmë janë planifikuar në Buxhet. Për pensionet, FSPI-së ka siguruar fonde për rritje të mundshme. Nuk duhet të shqetësohemi se do të marrim prej diku që t’ua japim pensionistëve. Pensionistët janë të siguruar me atë që deri më tani ka mjaftueshëm mjete në Fondin e FSPI-së”, tha dje zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski konfirmoi dje se ministrja për punë dhe politikë sociale për sot ka thirrur mbledhjen e parë për pensionet dhe do të diskutojë për modelet për llogaritjen dhe rritjen e pensioneve që i kanë menduar shoqatat e pensionistëve dhe resorët ekonomik në Qeveri.
Ndryshe, më 7 shkurt u arrit marrëveshje me Lidhjen e Sindikatave dhe punëdhënësit në lidhje me kërkesën për pagë minimale prej 18.000 denarë.
Comments are closed for this post.