Mandatari për Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dje e ka dorëzuar propozim-programin në Kuvend. Në të ka edhe pjesë me të cilat rregullohet posedimi dhe tregtimi me kriptovaluta.
Për momentin në Maqedoni kriptovalutat nuk janë të ndaluara, pasi nuk ka ligj të veçantë me të cilin rregullohet përdorimi i tyre. Qeveria e re planifikon të dorëzojë ligj për rregullimin e kësaj çështje, me çka do të ketë taktim për kriptovalutat.
“Ne duam t’u bashkohemi tendencave të reja globale, të cilat po përparojnë seriozisht në sistemet më të zhvilluara financiare. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do t’u mundësojë qytetarëve që zotërojnë bitcoin ose kriptovaluta të tjera stabile t’i shkëmbejnë ato në mënyrë të ligjshme, ndërsa kompanive vendase të tregtojnë jashtë vendit me kriptovaluta te furnitorët e tyre, sipas propozimit të programit të qeverisë”, thuhet në propozim-programin e Qeverisë.
Sipas saj, do të miratohet një zgjidhje ligjore, e cila do të përgatitet nga Qeveria dhe Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Popullore dhe në konsultim me bankat komerciale në vend, ndërsa do të konsultohen edhe ekspertët përkatës për këtë temë.
Zgjidhja formale do të ndjekë rregulloret dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian për rregullimin e tregut të kriptomonedhave. Në këtë kuadër do të vendosen zgjidhje për mekanizmat mbrojtës nga abuzimet e mundshme, si dhe për parandalimin e pastrimit të parave dhe uljen e ekonomisë joformale.
Comments are closed for this post.