Afrimi i Edi Ramës dhe Alleksandar Vuçiqit nuk është “i shëndetshëm”, thotë Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.
“Në fakt, duhet përkujtuar se një Serbi e madhe çon në krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe anasjelltas. Kjo është një dinamikë shumë e rrezikshme dhe ajo po thyhet në Kosovë, në lumin Ibër. Tregu ekonomik rajonal është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet, por nuk mund të realizohet pa vlera evropiane, demokratike.
Përkundrazi, mund të jetë i rrezikshëm”, konsideron Joseph.
Ai shton se është fakt i paqëndrueshëm që Kosova ende nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin e pronës së Manastirit të Deçanit.
Ai po ashtu thekson se Kosova e ka obligim që ta zbatojë vendimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse këtë e ka pranuar në vitin 2013 dhe 2015, në kontekstin e negociatave.
“Prishtina mund të propozojë në mënyrë konstruktive se si Asociacioni komunave me shumicë serbe mund të organizohet në harmoni me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por edhe me interesat e serbëve atje. Është shumë e mundur të formohet një asociacion i tillë që nuk do të ishte Republikë Sërpska, duke kontribuar kështu në krijimin e besimit”.
Sipas tij, presidenti serb Alleksandar Vuçiq e paraqet Serbinë si një partnere kyçe në rajon për Perëndimin, edhe pse nuk është.
“Në fakt është një faktor destabilizues. Nuk mund të jesh partner i Perëndimit dhe në të njëjtën kohë të promovosh ‘Botën serbe’, sepse këto dy gjëra janë të papajtueshme. Nuk mund të jesh një partner perëndimor dhe në të njëjtën kohë të promovosh Xi Jinpingun dhe Vladimir Putinin, duke hyrë në një partneritet strategjik me Kinën dhe Rusinë”, thekson Joseph.
Radio Evropa e Lirë: Në muajt e fundit, qytetarët e Serbisë kanë protestuar në shumë qytete për çështje mjedisore, veçanërisht për shkak të projektit kundërthënës të kompanisë, Rio Tinto për shfrytëzimin e litiumit. A është luhatur seriozisht pozicioni i Alleksandar Vuçiqit, për herë të parë që nga ardhja në pushtet nëntë vjet më parë apo ai ia doli të kontrollojë dëmin duke shtyrë ligjet e diskutueshme për shpronësimin e tokës dhe referendumin, të cilat, të paktën pjesërisht e zbutën zemërimin e publikut?
Edward Joseph: Mendoj se ky është një problem serioz për Alleksandar Vuçiqin dhe regjimin autokratik, në krye të së cilit është ai. Ai, gati se për një dekadë e udhëheqë vendin prapa nga një demokraci e dobët, por megjithatë një demokraci siç ishte në të gjitha qeveritë e mëparshme pas rënies së Sllobodan Millosheviqit e deri në vitin 2012. Që atëherë, qeveritë e drejtuara nga Alleksandar Vuçiqi kanë qenë jodemokratike. Këto protesta për mjedisin janë sfidë për të, sepse shprehin në radhë të parë kërkesën për demokraci, që të dëgjohet zëri i qytetarëve në vendimmarrje.
Fakti që demonstratat janë masive, që nuk janë shprehje e politikës së një partie të caktuar, por e pakënaqësisë së gjerë të qytetarëve – ka të bëjë me vetë thelbin e demokracisë. Gjegjësisht, njerëzit janë të pakënaqur sepse askush nuk i ka pyetur për mendimin e tyre kur kanë marrë vendimin që Rio Tinto të shfrytëzojë litiumin. Është një sfidë për një regjim që dëshiron të paraqitet si i fuqishëm dhe i suksesshëm duke u mburrur për rritjen ekonomike.
Radio Evropa e Lirë: Po, progresistët po përpiqen për kontroll të gjithanshëm për të mos lënë hapësirë për votat e disidentëve. Në rast të ndonjë çarjeje në sistem që do të lejonte veprime të ndryshme politike, ata kanë frikë se ajo çarje mund të zgjerohet.
Edward Joseph: Absolutisht për këtë bëhet fjalë. Autokracia nuk toleron mendime të ndryshme dhe përpiqet për kontroll gjithëpërfshirës dhe jodemokratik. Këtu bëhet fjalë për pushtetin e një partie dhe të një njeriu dhe prandaj është joliberale. Të treguarit e dobësisë është i zakonshëm në një sistem demokratik, por është i papajtueshëm me regjimet autokratike.
Po të ishte demokratike Qeveria në Beograd, do të shqetësohej për pakënaqësinë e qytetarëve në rastin e Rio Tintos, por jo aq shumë, sepse protestat janë të zakonshme në sistemet demokratike. Por, në regjimet autokratike demonstratat nuk janë të pranueshme dhe për këtë arsye ato janë kërcënim shtesë për regjimin e Vuçiqit.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të pritet më tutje? Pas disa muajsh do të mbahen zgjedhjet në Serbi. Prandaj, shumë besojnë se Vuçiq bëri një manovër të shkathët duke e shtyrë miratimin e dy ligjeve të përmendura për periudhën pas atyre zgjedhjeve, në të cilat, sipas vlerësimeve do të fitojë sërish, pavarësisht sfidave të fundit. Apo mendoni se opozita, e cila i bojkotoi zgjedhjet e mëparshme, për shkak të të cilave u shpallën zgjedhje të reja të parakohshme, mund të bëjë diçka?
Edward Joseph: Nuk parashikoj një ndryshim dramatik në strukturën e pushtetit. Unë nuk shoh në këtë moment që opozita është mobilizuar në atë mënyrë që të paraqesë kërcënim për regjimin e Vuçiqit. Nuk shoh ndryshime në ambientin zgjedhor, i cili vazhdon të favorizojë pushtetin, siç është kontrolli i medias, pavarësisht ndërmjetësimit të Parlamentit Evropian.
Pra, kemi një ambient zgjedhor mjaft të pabalancuar që favorizon regjimin. Megjithatë, trendet janë shumë të rëndësishme për një regjim autokratik. Kjo do të thotë se ai është i shqetësuar për rënien e mbështetjes, ndonëse edhe pas këtyre zgjedhjeve mbase do të mbajë kontrollin mbi Parlamentin dhe Vuçiq do të mbetet president, por i dobësuar.
Radio Evropa e Lirë: Opozita e sheh shansin që të rrezikojë pushtetin, para së gjithash, në Beograd. Në qoftë se do të fitonte në kryeqytet, kjo do të ishte goditje serioze për Vuçiqin.
Edward Joseph: Kjo do të ishte domethënëse, por jo domosdo me karakter transformues, në kuptimin e rrezikimit të pushtetit edhe në nivel kombëtar. Shembull i mirë për këtë janë zgjedhjet e fundit në Kosovë. Pra, në muajin shkurt, partia e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit arriti një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare dhe më pas pësuan një goditje të rëndë duke i humbur zgjedhjet lokale në shumë qytete, përfshirë edhe Prishtinën. Por, kjo nuk do të thotë se Qeveria e Kosovës do të bie apo do të shpallen zgjedhjet e parakohshme.
Pra, humbja e Beogradit dhe vendeve tjera do të ishte goditje për pushtetin e tanishëm, por jo domosdo sjell deri te ndërrimi i pushtetit në nivel kombëtar. Duhet të kemi parasysh se ky është një regjim që ka gati një dekadë që ka shpërbërë demokracinë në mënyrë metodike dhe sistematike, duke institucionalizuar korrupsionin. Në këtë mënyrë, ai fiton të ardhura, me të cilat minon veprimtarinë e institucioneve të caktuara shtetërore, mediat, në një farë mënyre edhe Kishën Ortodokse Serbe. Ajo më nuk e ka ndikimin që ka pasur, dhe as Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve.
Vuçiq është faktor destabilizimi në Ballkan
Radio Evropa e Lirë: Të krijohet përshtypja se Vuçiq ka nxjerrë mësime nga rënia e Sllobodan Millosheviqit. Nga njëra anë, ai kërkon të shmangë akumulimin e zemërimit të qytetarëve, sikurse pas refuzimit të regjimit të atëhershëm për të njohur fitoren e opozitës në zgjedhjet vendore të vitit 1996, prandaj edhe shtyu miratimin e dy ligjeve të përmendura. Në anën tjetër, shumë njerëz kanë frikë se do të jetë e pamundur të fitohet kundër Vuçiqit në zgjedhje, sepse ai do të bëjë gjithçka për të penguar një lojë të barabartë politike.
Edward Joseph: Jo vetëm Alleksandar Vuçiq, por edhe të tjerët në këtë regjim janë veteranë nga epoka e Millosheviqit dhe me të vërtetë i kanë mësuar ato leksione. Mirëpo, ata tani po paraqiten më të sofistikuar, duke përdorur, për shembull, termin “Botë serbe”, në vend të “Serbia e Madhe”, me Alleksandar Vulin si promotor të asaj ideje, derisa Vuçiqi nuk deklarohet.
Gjithashtu edhe Millosheviqi e paraqiste veten si partner të Perëndimit. Por, ndryshimi qëndron në atë që Perëndimi asokohe i kishte vendosur sanksione Serbisë, ndërkaq që sot nuk ka sanksione. Vuçiqi e shfrytëzon këtë duke e paraqitur Serbinë se partneren kyçe perëndimore në rajon edhe pse nuk është e tillë. Në fakt, është një faktor destabilizues.
Nuk mund të jesh partner i Perëndimit dhe në të njëjtën kohë të promovosh “Botën serbe” sepse këto dy gjëra janë të papajtueshme. Nuk mund të jesh një partner perëndimor dhe në të njëjtën kohë të promovosh Xi Jinpingun dhe Vladimir Putinin duke hyrë në një partneritet strategjik me Kinën dhe Rusinë. Nuk është e mundur të jesh kandidat i vërtetë për anëtarësim në BE, ndërkohë që partneri yt më i afërt është Hungaria me një regjim joliberal, që cenon vlerat dhe integritetin e bllokut evropian.
Duhet kujtuar se, ashtu si Millosheviqi, edhe Vuçiq përdor taktika frikësuese. Natyrisht që edhe liderët tjerë e bëjnë këtë. Nëse kthehemi pas në histori, Tito ishte shumë dinak dhe herë pas here mbante anën e protestuesve.
Radio Evropa e Lirë: Gjatë protestave të studentëve në vitin 1968.
Edward Joseph: Po, protestat e studentëve në vitin 1968, kur Tito në mënyrë mjaft të shkathtë mbajti anën e tyre, duke thënë “studentët kanë të drejtë”. Kjo është një mënyrë për të kuptuar apo përfituar protestuesit, por nuk duhet të harrojmë se regjimi i Vuçiqit është i aftë të përdorë taktika frikësuese dhe se ai nuk është i përkushtuar ndaj vlerave perëndimore, por kineze dhe ruse, apo atyre hungareze të Viktor Orbanit.
Agjenda e Vuçiqit bie ndesh me atë të Bidenit
Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët se, ndryshe nga Millosheviqi, Vuçiq nuk është i ekspozuar ndaj sanksioneve ndërkombëtare. Në fakt, ambienti global tani është krejt ndryshe nga sa ishte në vitet 1990, kur flasim për Ballkanin. Vuçiqi po e baraspeshon rrugën evropiane të Serbisë, duke luajtur në të njëjtën kohë me letrën ruse dhe kineze. Këto dy vende janë shumë më të rëndësishme në skenën ndërkombëtare sesa në vitet 1990. Mirëpo, a mund të dështojë në fund kjo taktikë e Vuçiqit?
Edward Joseph: Po, mendoj se do të dështojë. Autokracitë janë më të forta në disa situata, një person i bën lehtësisht zgjidhjet, por ato janë më të brishta, më pak elastike kur shfaqen çarjet, siç janë protestat për mjedisin në Serbi.
Nëse krahasojmë mjedisin gjeopolitik të viteve 1990, kur Rusia ishte e dobët dhe Kina nuk ishte dukshëm e pranishme në Ballkan dhe situatën aktuale, atëherë mund të themi se interesat e Shteteve të Bashkuara tani janë shumë më të mëdha ose më të ndryshme.
Pra, në vitet 1990, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishin pse të shqetësoheshin për ndikimin rival rus dhe kinez. Në këtë kuptim, Ballkani ishte edhe më pak i rëndësishëm për Uashingtonin. Ekzistonte interesi humanitar për shkak të vrasjeve, spastrimeve etnike dhe zhvendosjeve brutale në një kohë kur zëri i Joe Bidenit (si senator) ishte shumë i rëndësishëm. Por, SHBA-ja nuk kishte pse të shqetësohej për kundërshtarët, për regresin e demokracisë. Ishte moment njëpolar.
Ai ishte gjithashtu fundi i modelit të dështuar sovjetik. Pra, tani ne shohim sfidat edhe në Shtetet e Bashkuara. Prandaj, presidenti (i SHBA-së, Joe) Biden tha se të dëshmuarit që demokracia funksionon është një nga qëllimet dhe misionet kryesore të administratës së tij.
Për shkak të gjithë kësaj, qasja e Alleksandar Vuçiqit, pavarësisht rrëfimit për “Ballkanin e Hapur” dhe mbështetjes së SHBA-së për normalizimin ekonomik në rajon, që ishte iniciativë e ish-presidentit, Donald Trump – është në kundërshtim me angazhimin e administratës së Bidenit. Regjimi i Vuçiqit ishte shumë i pajtueshëm me politikën e Trumpit, por në thelb nuk është me vlerat demokratike të administratës së Bidenit.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, së fundmi Biden e ftoi Vuçiqin në Samitin për Demokracinë.
Edward Joseph: Kjo është pyetje shumë e mirë. Ky ka qenë gabim. Aq më tepër që misioni diplomatik amerikan në Beograd njoftoi fillimisht se Serbia nuk do të ftohet dhe pastaj pati një kthesë për shkak të Kosovës, e cila gjithashtu u ftua në Samit. Kosova nuk është aspak një demokraci e përsosur, por është ajo që ka qenë Serbia para regjimit të Vuçiqit.
Kjo është një demokraci e re, e pafuqishme, por që po fuqizohet. Kosova ka Qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asnjë parti nuk kishte monopol mbi median dhe nuk përdori taktika frikësuese për të qëndruar në pushtet. Përkundrazi, ish-presidentit, Hashim Thaçi iu desh që të jepte dorëheqje dhe të shkonte në Hagë, nën presionin e SHBA-së dhe BE-së, për t’u përballur me akuzat për krime lufte, në radhë të parë kundër serbëve. Prandaj, Kosova e meritonte ftesën në Samitin për Demokracinë.
Pas kësaj, ndodhi një kthesë e papritur kur bëhet fjalë për Serbinë, e cila sipas të gjitha kritereve demokratike, është një regjim hibrid, joliberal, anti-demokratik. Alleksandar Vuçiqi nuk e meritonte platformën për të mbajtur fjalim, në të cilin ai theksoi se sa shumë Qeveria e tij e mbështetë demokracinë. Fatkeqësisht, kjo ka qenë gabim.
Radio Evropa e Lirë: Duket se në lojë ishin edhe përllogaritjet gjeopolitike, sepse ishin të ftuar Polonia, Pakistani, Filipinet, Iraku dhe disa vende të tjera që janë larg demokracive të përsosura.
Edward Joseph: Kjo nuk është e njëjta situatë dhe këto raste nuk mund të krahasohen. Kur flitet për Serbinë, nuk bëhet fjalë për gjeopolitikë. Në fakt, gjeopolitika ka lidhje me Serbinë vetëm përmes levës së saj të ndikimit në Kosovë. Kjo është arsyeja e vetme pse nuk ka sanksione kundër autoriteteve në Serbi. Është më pak nën mbikëqyrje për korrupsion se çdo vend tjetër në Ballkan.
Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha është sanksionuar nga administrata Biden për korrupsion. I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar e ka bërë të qartë se korrupsioni është problem në Bosnjë dhe Hercegovinë. A dëgjoni deklarata të tilla për korrupsionin sistematik në Serbi? Unë nuk kam dëgjuar. Arsyeja qind për qind është leva e pushtetit që ka Beogradi mbi Kosovën sadhe përmes kësaj, Rusia dhe Kina po sigurojnë ndikimin e tyre politik në rajon.
Në të njëjtën kohë, këto mekanizma ndikimi Serbia i ka në dispozicion, jo për shkak të mbështetjes së Rusisë dhe Kinës, gjegjësisht bllokadës së tyre për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ky është vetëm një manifestim i problemit. Arsyeja e vetme është se pesë anëtarë të BE-së, katër prej të cilëve janë edhe në NATO, nuk e njohin Kosovën. Sikur këto katër vende (Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia) do ta njihnin Kosovën, Serbia do të mbetej pa instrumentin e përfolur.
Gjithashtu, ndikimi rus dhe kinez në rajon do të zvogëlohej ndjeshëm dhe do t’i hapte rrugën një zgjidhjeje dinjitoze, stabilizuese që do të mbronte statusin e serbëve të Kosovës. Kjo do ta kthente edhe Serbinë në rrugën demokratike. Pra, e gjithë kjo do të ishte e mundur nëse ato katër shtete do ta njihnin Kosovën, sepse kjo do t’i mundësonte Kosovës të bëhej anëtare e NATO-s, pas së cilës Serbia nuk do të mund ta bllokonte më.
Në atë rast, pengimi i anëtarësimit të Kosovës në OKB është shumë më pak i rëndësishëm. Kosova do të kishte rrugën e saj të pavarur drejt subjektivitetit ndërkombëtar, si shtet i tërë pa kërkesën e ndarjes së tij. Kjo do të krijonte një dinamikë krejtësisht tjetër dhe do të inkurajonte Serbinë dhe Kosovën që të negociojnë një zgjidhje dinjitoze dhe stabilizuese me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së.
Radio Evropa e Lirë: Do t’i kthehemi shumë shpejt çështjes së Kosovës. Por, para kësaj, për korrupsionin që e përmendët. SHBA-ja vendosi së fundmi sanksione ndaj biznesmenit kundërthënës nga Kosova, Zvonko Vesellinoviq dhe 13 serbëve të tjerë. A do t’i zgjerojnë Uashingtoni dhe BE-ja sanksionet për korrupsion dhe shkelje të standardeve demokratike, apo po llogarisin ende në arritjen e një marrëveshjeje me Vuçiqin për Kosovën dhe çështjet tjera, në mënyrë që të forcojnë stabilitetin rajonal?
Edward Joseph: Duhet të presim dhe të shohim se çfarë është strategjia e vërtetë e administratës së Bidenit në luftën kundër korrupsionit. Vendosja e sanksioneve kundër organizatës së Vesellinoviqit është padyshim një shenjë pozitive. Në anën tjetër, ftesa për Serbinë në Samitin për Demokracinë po atë muaj, jep sinjalin e kundërt.
Pra, keni pasur anën pozitive të përdorimit të mekanizmit të sanksioneve, që është një mesazh për Beogradin, i cili, siç dihet, kontrollon rrjetin e krimit të organizuar të Vesellinoviqit në veri të Kosovës. Ajo zonë është vatër e përleshjeve me autoritetet e Prishtinës për shkak të operacionit policor në tetor, të cilin SHBA-ja e mbështeti, ndërkaq që autoritetet në Serbi protestuan.
Pastaj, në të njëjtin muaj, Vuçiqi mori një ftesë të pamerituar për Samitin për Demokracinë, e cila dërgon mesazhin e gabuar. Ky nuk është një sinjal inkurajimi, sepse po të ishte kështu, atëherë Serbia do të ishte ftuar në fillim. Ishte vetëm një shprehje e dobësisë që sapo përmenda, për shkak të levës së saj të ndikimit mbi Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se SHBA-ja dhe mbi të gjitha BE-ja, si ndërmjetëse në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ende po llogarisin te Vuçiqi, duke vënë theksin te të ashtuquajturën “stabilitokraci”, në vend që të inkurajojnë forcat demokratike. Kjo supozon se nëse arrihet një marrëveshje, Vuçiq do të ishte garantuesi i saj. Së dyti, Perëndimi duket se nuk ka shumë besim tek opozita, duke qenë se ajo është po aq nacionaliste sa Qeveria aktuale.
Edward Joseph: Këtu nuk bëhet fjalë për cilësinë e opozitës serbe, por për mekanizmin që mundëson ndikimin e Beogradit zyrtar në Kosovë, i cili është pengesë për vendosjen e qeverisë demokratike dhe forcon regjimin e Vuçiqit. Dhe kjo levë u jepet autoriteteve në Serbi nga katër vendet e përmendura – Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Ndryshimi i pozicionit të tyre do të kishte një ndikim transformues në Beograd. Si mund ta them këtë me kaq vetëbesim?
Comments are closed for this post.