Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Mustafa Shentopin, Kryetarin e Kuvendit të Madh Nacional të Republikës së Turqisë, i cili qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut me një grup deputetësh, njfotojnë nga Kuvendi i RMV-së.
Në takim ishin të pranishëm edhe Goran Misovski, nënkryetar i Kuvendit, Bejxhan Iljas, kryetar i Grupit Parlamentar të Bashkëpunimit me Kuvendin e Republikës së Turqisë, Nikolla Micevski, Igor Janushevi, Enes Ibrahimi, Merita Kollçi-Koxhaxhiku, Zeqir Ramçilloviqi dhe Hysni Ismaili, anëtarë të Grupit dhe Cvetanka Ivanova, sekretare e përgjithshme e Kuvendit.
Të dy kryetarët e parlamenteve shprehën kënaqësi për takimin e sërishëm i cili përkon me shënimin e 21 Dhjetorit, Ditës së mësimit në gjuhën turke, që paraqet konfirmim se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë zhvillohen në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë, miqësisë së afërt, partneritetit dhe bashkëpunimit aktiv në fushat e shumta me interes të ndërsjellë.
Xhaferi dhe Shentop vlerësuan se mbajtja e komunikimit intensiv në nivel të lartë, kontribuon fuqishëm në avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale, ndërsa raportet e mira dhe miqësore mes dy vendeve janë reflektuar edhe në bashkëpunimin e frytshëm parlamentar.
“Në lidhje me pandeminë me COVID-19, Kryetari Xhaferi e potencoi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar dhe solidaritet global, duke shprehur njëherazi mirënjohje për donacionet turke që ishin një dobi e madhe për vendin në menaxhimin e pandemisë.
Kryetari i Kuvendit të Madh Nacional i Republikës së Turqisë, Mustafa Shentop, theksoi se Republika e Turqisë e mbështet Republikën e Maqedonisë së Veriut në të gjitha sferat dhe shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve zhvillohen në vijën përpjetë, me rritje të shkëmbimit tregtar prej 46%. Ai nënvizoi se Turqia mbetet mbështetës i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe vlerësoi se çështjet bilaterale nuk duhet të paraqesin pengesë për anëtarësim në organizatat multilaterale. Njëherazi, Shentopi shprehu shpresë se mosmarrëveshjet me Bullgarinë do të tejkalohen në kohë sa më të shpejtë dhe se Maqedonia e Veriut do i fillojë negociatat me BE-në”, thonë Kabineti i Talat Xhaferit.
Comments are closed for this post.