“Viti i ardhshëm 2022 do të jetë vit i rimëkëmbjes ekonomike të mëtejshme dhe përshpejtimit të rritjes përmes investimeve të parapara në Propozim buxhetin në nivel historikisht më të lartë deri më tani dhe për herë të parë investimet janë më të larta se deficiti buxhetor. Megjithatë, në kushtet e rreziqeve ende të pranishme nga pandemia e Kovid 19, i rëndësishëm do të jetë edhe kujdesi për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së popullatës, ndërsa pjesë integrale është edhe pagesa e rregullt e pagave, pensioneve dhe kompensimeve sociale si dhe përkrahja e ekonomisë”.

Kjo u theksua sot nga ministri i Financave Fatmir Besimi, duke shpjeguar Propozim buxhetin për vitin 2022 para Komisionit për financim dhe buxhet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me Propozim-buxhetin për vitin 2022, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në 238.9 miliardë denarë dhe janë për 7.4% më të larta se këtë vit. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në vlerë prej 272.4 miliardë denarë, që është 1.4% më shumë se në vitin 2021. Deficiti është planifikuar në nivel prej 33.5 miliardë denarëve ose 4.3% të PBB-së dhe është më i ulët për 2.2 pikë përqindje në raport me deficitin e vlerësuar në vitin 2021.

Investimet kapitale në Propozim buxhetin për vitin 2022 janë planifikuar në vlerë prej 37.8 miliardë denarë, që janë rreth 27% më shumë në raport me vitin 2021 dhe janë në nivel më të lartë se deficiti buxhetor, duke arritur kështu rregullin e artë në financat publike.

Para anëtarëve të komisionit, ministri Besimi theksoi se karakteristika kryesore e këtij buxheti është komponenti zhvillimor, sigurimi i financimit të pandërprerë të funksioneve të shtetit, si dhe përkrahja e fuqishme financiare për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritje ekonomik të përshpejtuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

“Karakteristikë kryesore e Propozim buxhetit për vitin 2022 është se deficiti do të shfrytëzohet vetëm për përkrahjen e një pjese të konsiderueshme të investimeve kapitale. Në vitin 2022, sipas të gjitha karakteristikave, ne do të kemi “buxhet zhvillimor”. Komponenti zhvillimor i Buxhetit pasqyrohet përmes rritjes së mjeteve për shpenzime kapitale me rreth 27% në raport me vitin 2021, më saktësisht në vitin 2022 parashihen 8 miliardë denarë më shumë për projekte kapitale. Shpenzimet kapitale vitin e ardhshëm janë në nivel historikisht më të lartë prej 14% në shpenzimet e përgjithshme”, theksoi ministri.

Sipas ministrit, është i rëndësishëm fakti se do të huazohet vetëm për investime kapitale, ndërsa paratë e qytetarëve do të shfrytëzohen atje ku japin efekt më të madh për realizimin e qëllimeve për cilësi më të lartë të jetesës, duke respektuar parimin “vlera e parave të investuara”.